Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në ceremoninë përkujtimore të dy volejbollistëve Dashmir Fagu dhe Asllan Rusi.
Në fjalën e mbajtur Rama, tha se së bashku me Bashkinë e Tiranës po punohet për të filluar punën për rindërtimin e pallatit të sportit “Asllan Rusi”.
“Me bashkinë e Tiranës po bashkëpunojmë për të mundur të fillojmë edhe rindërtimin e pallatit të sportit ‘Asllan Rusi’. Ashtu sikundër do t’i japim një strehë dinjitoze të gjithë federatave të shumë sportëshit, të cilat kanë qenë të strehuara në zyra jo dinjitoze, dhe jo për faj të tyre, por për mungesë vëmendje”, u shpreh Rama.
Kreu i ekzekutivit theksoi gjithashtu se po punohet për përfundimin e fazës së parë të Parkut Olimpik të Tiranës.
“Shpresoj që së shpejti të përfundojmë fazën e parë të Parkut Olimpik të Tiranës, ku faktikisht ish-ngrehina e braktisur e palestrës do të transformohet në një pallat sporti edhe pse më e vogël se ‘Asllan Rusi’. Te Parku Olimpik do të jenë të gjithë federatat, por me kushte dinjitoze për të zhvilluar aktivitetin e tyre”, tha Rama.















