Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur Kongresin e Partisë Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.
Me sens humori, Rama tha se ka një marrëdhënie vëllazërore me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe kjo është arsye sipas tij, që ka edhe mos marrëveshje. Kujtojmë se Dule ka kritikuar qeverinë muajt e fundit pas daljes de fakto nga koalicioni qeveritar.
“Ka një miqësi dhe vëllazëri që mua më lidh personalisht me kryetarin e PBDNJ-së dhe këtë e provon fakti që nuk shkojmë gjithmonë mirë. Po të mos ishim miq, patjetër që mund të kishim shkuar më mirë në një distancë diplomatike, por nuk kemi distancë diplomatike dhe kjo është gjë e mirë”, tha Rama.
Më pas kryeministri u ndal edhe tek çështja më sensitive që ka “pushtuar” prej kohësh politikën dhe mbarë opinionin publik, reformën në drejtësi.
Ai i mëshoi edhe një herë faktit se reforma në drejtësi duhet votuar në mënyrë që ky sistem i kalbëzyer i gjyqësorit të shembet dhe në vend të vihet drejtësi.
Ka gjykatës e prokurorë që nuk justifikojnë dot pasuritë e tyre, tha Rama.
Votimi i reformës përcakton fatin e gjeneratës tjetër vazhdoi më tej kryeministri.






















