Vizita e Ramës në QSUT bëhej me qëllim inspektimin e investimeve që po bëhen në këtë qendër. Nga ambientet e QSUT-së, kryeministri Rama deklaroi se është e domosdoshme që kantieri i shëndetësisë të jetë një kantier i suksesshëm. Ai e cilësoi betejën për shëndetësinë si një betejë themelore për kabinetin qeverisës, për të cilën përpjekjet do të jenë të vazhdueshme. Rama tha se në ditët në vijim do të shpaloset platforma kundër korrupsionit dhe një pjesë e kësaj platforme do i kushtohet betejës kundër korrupsionit në shëndetësi.
Në vijim të fjalës së tij, kryeministri tha se 15 muaj janë pak për ta shndërruar në një histori suksesi platformën e plotë të rrënimit, megjithatë ndryshimet e bëra gjatë këtyre 15 muajve në sistemin e shëndetësisë janë themelore dhe të prekshme. Sipas kreut të kabinetit qeverisës më 23 qershor 2013 fitoi ambicia për Shqipërinë moderne, për të pasur mundësinë të shikohet një shtet që funksionon përkundër ambicies për pushtet. Në mbyllje të fjalës së tij, kryeministri tha se në fund të këtij mandati, debati se si ishte dhe si u bë, do zhvillohet në QSUT-në që i është nënshtruar ndryshimeve. Ai ftoi qytetarët që të bashkohen për të vazhduar këtë betejë.
















