| Studiuesi i politikës ndërkombëtare, Janush Bugajski mbron idenë se vizita e kryeministrit Rama në Beograd, i shërben vetë Shqipërisë. Përkundrejt kundërshtive të një pjese të opinionit publik, që vizita e 10 nëntorit në Serbi nuk duhet të zhvillohet, në një intervistë në “Skype”, Bugajski shprehet ajo do të vlerësohet pozitivisht si në Bruksel ashtu dhe në Uashington.
“Them se Shqipëria duhet të tregojë se është një aktore ndërkombëtare e përgjegjshme, që kërkon ripajtim rajonal dhe bashkëpunim dypalësh me Serbinë mbas gjithë këtyre viteve. Dhe që nuk dëshiron të shihet si dëmtuese e stabilitetit rajonal. Them se takimi ka për të ndihmuar gjithashtu progresin e Shqipërisë drejt BE-së, gjë e cila padyshim është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Vizata e Ramës ka për t’u vlerësuar pozitivisht si në Bruksel si në Berlin. Ajo ka për t’u parë pozitivisht edhe në Uashington, pasi ka për të demonstruar se Tirana po vepron mjaft pozitivisht për sigurinë rajonale”, theksoi ai. Politologu dhe drejtuesi i “Bugajski Hour” ka një këndvështrim të tijin dhe për drejtuesin e dronit që fluturoi në stadiumin Partizani mbrëmjen 14 tetorit. “Mendoj se kryeministri duhet të theksojë para Vuçiç-it se organizatorët e dronit i kanë bërë, në fakt, një nder të gjithëve. Ata ekspozuan dobësitë në sigurinë e stadiumit. Po sikur droni të kishte mjete shpërthyese që do të detonoheshin mbi zonën VIP dhe të vriste disa zyrtarë të lartë, apo nëse do të kishin vrarë disa njerëz nga turma? Mendoj se disa terroristë të huaj mund të kenë marrë në konsideratë tani përdorimin e këtyre mini-dronëve për të shkaktuar një kasaphanë në vendet e populluara publike në Evropë. Pra, incidenti ishte në fakt një paraljmërim i çmuar sigurie për Serbinë dhe për të gjithë stadiumet e futbollit në rajon që të implementojnë masa anti-dron më frytdhënëse”, thotë ai. Në intervistën e tij, Bugajski thekson se Serbia duhet të pozicionohet, ose me BE-në ose me Rusisë. Asnjanësia nuk është e lejueshme në këto momente. “Beogradit do t’i duhet që të vendosë nëse i përket sferës së Perëndimit demokratik që po zgjerohet dita ditës, apo sferës së Rusisë gjithnjë e më tepër respresive dhe agresive. Në mes të kësaj përballjeje mes Moskës dhe Brukselit, Serbia ose do të angazhohet që të hyjë në institucionet perëndimore, ose ka për t’u perceptuar përherë e më tepër në pjesë të Evropës dhe në SHBA si një kukull dhe përfaqësuese e Kremlinit. Politika e jashtme e Beogradit për momentin nuk është e balancuar, por është kontradiktore. Serbia është jashtë sinkronizimit, dhe lipset që të sinkronizojë politikën e saj të jashtme me BE-në. Asnëjanësia, ndryshe nga koha e Luftës së Ftohtë, nuk është opsion i mundur për shtetet siguria dhe prosperiteti i të cilave mbetet i brishtë”, tha ai. Vizita e kryeministrit Rama në Beograd do të zhvillohet në 10 nëntor. Ajo ishte parashikuar të zhvillohej në 22 tetor, por nëpërmjet një bisede telefonike, kryeministrat Rama dhe Vuçiç ranë dakord për shtyrjen e saj. |















