Vendimi i paprecedentë i UEFA për t’u ngujuar në llogoren e Ivan huliganit, për të legjitimuar dhunën në futboll, pushtimin e fushës së blertë nga huliganët dhe barbarët, flijimin e lojtarëve në fushë si dhe për të mbuluar reprezaljet në fushën e blertë, është pasuar me një llavë reagimesh, indinjate, zemërimi dhe akuzash. Revolta e shqiptarëve nuk është pasqyruar me format dhe mundësitë që të jep gjuha shqipe në rrjetet sociale dhe në faqen e UEFA, por edhe me forma të tjera, si me karikatura të Platinit, etiketimin e tij si Platinoviç etj.
Dy ditë pas vendimit, reagimet vijojnë me intensitet. Deputetë, politikanë dhe analistë shqiptarë, e kanë konsideruar UEFA si një lavire të vjetër, me mision anti-shqiptar. Ndërkaq, nacionalistët e kanë krahasuar vendimin e UEFA si vazhdimësi e vendimit të Konferencës Famëkeqe të Londrës, ku 101 vite më parë, vendosi të copëtonte Shqipërinë në 5 copa. Në një prononcim për gazetën “Sot”, deputeti socialist, Arben Çuko, e ka cilësuar UEFA një lavire, vendimi i së cilës për Shqipërinë ishte i padrejtë dhe i gabuar. “Kur mora vesh vendimin e UEFA për Shqipërinë, më vajti në mendje një shprehje e Ismail Qemalit në 1913, e cila mund të konvertohet: UEFA është një plak lavire!”, u shpreh Çuko.
Ballistët e kanë krahasuar vendimin e UEFA, si të gjitha vendimet që janë dhënë kundër Shqipërisë. “Vendimi i UEFA është në vazhdën e vendimeve të tjera që janë dhënë kundër Shqipërisë. Gjykohen dy fajtorë dhe dalin dy fajtorë, pra nuk përcaktohet se kush është fajtori”, u shpreh kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi. Vendimi, turp për UEFA-n Deputeti socialist, Namik Kopliku, u shpreh se ky vendim i turpshëm për Shqipërinë, UEFA-n do ta ndjekë kudo. Ai theksoi se vizita e Ramës në Shqipëri, duhet të shihet si një takim, i cili do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal, ku do të mbrohen interesat e shqiptarëve. “Duke dashur të anashkalojnë një vend të vogël si Shqipëria, kanë bërë një gabim shumë të madh. Nuk e di si mund të sillen në ndeshjet që do të luhen në stadiumet e botës. Ky precedent do t’i ndjekë kudo. Vizita e Ramës nuk duhet të ndikohet nga incidenti dhe vendimi i UEFA. Dy kryeministrat të takohen ballë për ballë dhe Rama të tregojë se nuk i harrojmë interesat e shqiptarëve në rajon”, u shpreh Kopliku. Për deputetin demokrat, Bedri Hoxha, UEFA përveçse dha një vendim të padrejtë, shkeli rregullat dhe standardet e saj. “Është i papranueshëm vendimi i UEFA. U shkelën rregullat dhe standardet e UEFA, deri në dëm të Shqipërisë. Kjo dëshmoi se ne si shtet nuk jemi në hartën e Europës, dhe Europa nuk mund të na kërkojë neve detyrime, pas këtij vendimi. Vendimi i UEFA ishte një turp!”, u shpreh deputeti Hoxha.
Edhe kreu i PDK, Nard Ndoka, shprehet në të njëjtën linjë. “Vendimi i UEFA nuk ishte një vendim i drejtë dhe profesional, por një vendim i mirëpeshuar për realitetin ballkanas”, u shpreh Ndoka. Ish-deputeti demokrat, Tritan Shehu, e konsideron absurd vendimin e UEFA. “Pa asnjë dyshim vendimi i UEFA ishte absurd. Ndoshta mund e duhet të korrigjohet në apelim. Megjithatë, kjo nuk ka aspak të bëjë me rrugën tonë europiane. Të jemi në unison siç ishim për atë ndeshje dhe në përpjekjet e përbashkëta për implementimin e standardeve europiane brenda nesh e institucioneve tona, duke filluar nga Kuvendi. Vendimi i UEFA nuk pasqyron aspak qëndrimin apo mbështetjen europiane e perëndimore ndaj nesh. Ajo është e fortë dhe e gjithanshme”, u shpreh Shehu.














