Kryeministri Edi Rama mbajti sot një fjalim gjatë Asamblesë së zgjeruar të Forumit të Gruas Socialiste, ku theksoi se “Kuvendi i sotëm nuk është i kriminelëve, por ka numrin më të madh të grave e vajzave”.
“PS-ja është me krenari partia e grave dhe vajzave shqiptare. Ka krijuar një hapësirë të madhe për pjesëmarrjen e tyre në politikë dhe vendimmarrje, duke imponuar si kusht që në çdo këshill bashkiak, përfaqësuesit e komuniteteve të jenë gra dhe vajza. Jam vërtet i bindur se duhet përsëritur fakti se PS udhëhoqi dhe vendosi bashkë me të tjerët që prania e grave në Kuvend të rritet në mënyrë të ndejshme. Sot kemi një Kuvend që nuk është i kriminelëve, por një kuvend me numrin më të madh të grave dhe vajzave në historinë e këtij vendi. Përpjekja për të kriminalizuar PS-në është e atyre që përballë PS-së janë të vegjël. Të vegjël në përmasë, alternative, në ide, në qytetari, dhe në raport me sfidat dhe problemet që ka vendi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se përpjekja për të kriminalizuar PS-në, është përpjekja e njerëzve pa vizion përballë një qeverie që ka nisur rrugën e reformave.
“Përpjekja për të kriminalizuar PS-në dhe për të drejtuar gishtin e akuzës, është përpjekja e atyre që të gjitha shpresat për t’u përballur me forcën e vizionit, programit, lidershipit, i kanë varur tek më e pashpresa armë, kriminalizimi i çdo ideje të re, projekti të ri, vendimmarrje, reforme. Ndërkohë që ne jemi në një rrugë reformash që shprehin qartë për këdo që do të shohë e të dëgjojë, vendosshmërinë e PS për të qenë në lartësinë e historisë së saj, si partia që ka barrën të ndërtojë, rindërtojë, pa pushim”, tha kryeministri Rama.















