Shqipëria ka numrin më të ulët dhe më të pa arsimuar të policëve, krahasuar kjo jo vetëm me Evropën por me gjithë rajonin.
Kështu u shpreh sot në Parlament kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa shtoi se në këtë drejtim nuk mund të krahasohemi as me Kosovën, as me Malin e Zi dhe me asnjë shtet tjetër të rajonit.
Ndaj dhe qeveria do të shtojë numrin e policëve të arsimuar, tha Rama, por se kjo sipas tij, nuk do të thotë se po krijohet një shtet policor ashtu sikurse është keqinterpretuar në publik.
Rama: Do rrisim numrin e policëve, nuk po krijojmë ‘shtet policor’
“Ka pasur një keqtrajtim në ditët e diskutimeve jo nga komisionet por në publik për rritjen e numrit të policëve, gjë që është shfrytëzuar si argument për krijimin e shtetit policor. Në fakt jemi vendi me qesharak i Evropës dhe rajonit, përsa i përket numrit të policëve për banor, kemi numrin më të ulët, por me diferencë të madhe nga i parafundit. Nuk krahasohemi fare, as me Kosovën, as me Malin e Zi, me Kroacinë jo e jo, me Maqedoninë jo e jo dhe kemi edhe numrin më të madh të policëve me arsim të mesëm, pra kemi policinë më pa shkollë në Evropë dhe në rajon, pra t’i themi gjërat siç janë. Dhe për këtë arsye nga njëra anë do të kemi një rritje të numrit, që nuk është rritja e plotë e numrit pra nuk shkojmë ende në standard, kuptohet arsye mundësish financiare,” tha Rama sot në Kuvend.
Këto deklarata Rama i bëri sot në Kuvend, ku po diskutohet edhe për buxhetin e vitit 2015 dhe për paketën fiskale që e shoqëron këtë buxhet, për të cilën (paketa fiskale) Rama shpjegoi se nuk parashikon rritje taksash dhe nuk sjell asnjë rëndesë për qytetarët.















