Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me homologun e tij rumun, Victor Ponta, i ka bërë thirrje Qeverisë së Rumanisë të njohë pavarësinë e Kosovës. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, për Ramën, njohja e Kosovës është një çështje e sigurisë së hapësirës së përbashkët.
“Kërkesa ime e përsëritur është urimi im që Rumania më në fund ta njohë Kosovën dhe ta ndihmojë të shohë më tutje në procesin e njohjeve.
Njohja e Kosovës nuk është më një çështje bilaterale, por një çështje e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët.
Të mos lejojmë që të tjera forca të mund të influencojnë në këtë hapësirë”, deklaroi Rama gjatë vizitës së tij në Rumani.
Ai bëri me dije se është firmosur një projekt mes dy Ministrive të Arsimit, për studentët shqiptarë që do të shkojnë të mësojnë në Rumani në fushën e IT-së. “Po shkojmë drejt finalizimit të një marrëveshjeje të parë, por jo të fundit, në fushën e bashkëpunimit për energjinë”.
Ndërkaq, Rama foli edhe për mbështetjen që Rumania do të japë në projektin e përbashkët me Komisionin Evropian për ndërtimin e një rrjeti ekspertësh që do të ndihmojnë Shqipërinë në procesin e integrimit. “Bëhet fjalë për ekspertë që e kanë bërë këtë proces në Rumani, apo në vende të tjera dhe që janë të gatshëm të vijnë të punojnë në Tiranë”.
















