Në turin me moto “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, kryeministri Edi Rama theksoi se ka ardhur momenti për t’i dhënë një shtysë edhe më të fortë reformave.
Nga qyteti i Elbasanit, Rama shprehu vendosmërinë për të vijuar reformat. “Kemi përpara pjesën më të rëndësishme të betejës sonë për të pastruar Shqipërinë duke qeverisur vendin. Në këto dy vjet kemi filluar një operacion të shtrirë horizontalisht në të gjithë sektorët e jetës ekonomike të vendit dhe ky është një moment kyç, kur duhet t’i japim një shtysë edhe më të fortë reformave”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “duhet të synohet që të merren hap pas hapi edhe rezultatet e drejtpërdrejta nga këto reforma, që janë rezultat që nuk vijnë menjëherë, por që kanë një rëndësi shumë të madhe”. “Rezultatet krijojnë energji pozitive dhe besim të vazhdueshëm tek procesi i reformave”, shtoi Rama.
















