Presheva është gati të presë kryeministrin shqiptar Edi Rama, i pari zyrtar i lartë shtetëror shqiptar që viziton shqiptarët në Luginë për plot 102 vjet pavarësi të Shqipërisë.
Ndërsa shqiptarët i urojnë mirëseardhjen me banderola Ramës, xhandarmëria serbe ka rrethuar gjithë Preshevën. Forca të shumta policore raportohen në shtëpinë e kulturës, aty ku do të mbahet fjalimi i kryeministrit
Ora 10:46 Edi Rama, qytetar nderi i Preshevës
Kuvendi komunal në Preshevë shpall qytetar nderi të komunës së Preshevës kryeministrin e Shqipëris Edi Rama. Në këtë seancë të jashtëzakonshme ishin prezent 33 këshilltarë të cilët votuan unaniminisht, informon “Presheva.com”
Ora 10:33 Serbët mbyllin kufirin me Kosovën dhe Maqedoninë
Serbët mbyllin kufirin me Kosovën dhe Maqedoninë, informon zv/drejtori i informacionit të Ora News, Patrik Sadikaj. Mbyllja e kufirit serb me qëllim që shqiptarët të mos shkojnë drejt Preshevës .
Ndërkohë mësohet se qytetarë të shumtë po mblidhen në oborrin e shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, ku janë duke pritur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Hiqen flamujt nga shtyllat
Ndërkohë “Presheva.com” informon se janë hequr flamujt nga shtyllat që ishin vendosur me rastin e pritjes së kryeministrit në rrugën kryesore “15 nëntori”. Autobusi me gazetarë që shoqëron kryeministrin u bllokua për gati 30 minuta në autostradë dhe më pas u la të vazhdonte rrugën drejt Preshevës.
Ora 09:20 Bllokohet autobusi me gazetare
Autobusi i gazetarëve që shoqëron kryeministrin Edi Rama në vizitën e tij në Preshevë është bllokuar në autostradën që të çon drejt Preshevës.
Policia serbe deklaroi se më parë duhej të kalonte delegacioni shqiptar. Bllokimi ndodhi rreth orës 09:20. Gazetarët u lejuan të lëvizin vetëm pasi kaloi delegacioni i Ramës.

(Ne foto lart momenti kur gazetaret u ndaluan nga policia serbe)
Ora 09:00 Xhandarmeria serbe rrethon Luginen
Ndërkohë “Zëri” shkruan se Presheva mëngjesin e sotëm është rrethuar nga policë të shumtë të cilët po sigurojnë vendin para ardhjes së kryeministrit Rama. Madje sjell dhe foto të cilat tregojnë se në shtëpinë e kulturës, aty ku do të mbahet fjalimi i kryeminsitrit janë vendosur dhjetëra policë.

“Mirë se vjen zoti Kryeministër!”
“Mirë se na vini zoti Kryeministër!” – Shqiptarët e Luginës së Preshevës i urojnë mirëseardhjen kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Rreth orës 07:00 delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri la Beogradin për të nisur udhëtimin drejt Preshevës, informoi gazetari i Ora News, Patrik Sadikaj sot në mëngjes.
Gazetari ynë informon se Presheva është e blinduar nga policë e xhandarmëri.Çdo njeri që hyn në Preshevë kontrollohet.Ndërkohë forca të shumta policore janë parë edhe në autostradën Beograd- Preshevë. “Presheva jonë” shkruan se mbi500 policë janë të angazhuar.
Entuziazmi i shqiptarëve të Preshevës duket që në hyrje të komunës. Banerat ku shkruhet “Mirë se vjen kryeministër” janë vendosur në çdo pjesë të Preshevës.
Për plot 102 vjet pavarësi të Shqipërisë, asnjë president dhe asnjë kryeministër shqiptar nuk i ka vizituar këto treva. Dhe ja Kosova lindore ka fatin që për herë të parë sot pret nje kryeministër shqiptar, Edi Ramën.
Rama do të marrë titullin “Qytetar Nderi” nga këshilli komunal si dhe do të mbajë një fjalim në Shtëpine Kukturës në Preshevë.















