Kreu i qeverisë shkeli për herë të dytë protokollin, duke dekoruar këtë radhë, profesorin e Akademisë së Arteve, Robert Papavramin.
Përmes një ceremonie dekorimi të zhvilluar në Sallën e Hartave në Kryeministri, kreu i qeverisë Rama theksoi rëndësinë e pedagogut Papavrami në shkollën e violinës.
“Sot nderojmë një pedagog të veçantë. Papvrami vendosi një themel për shkollën e violinës dhe përmes pasionit të tij, ndikoi tek nxënësit. Roberti me këtë medalje, nderoi këtë godinë, institucionin dhe autoritetin e kryeministrit”, u shpreh Edi Rama.
Përmes batutave kryeministri Edi Rama, e cilësoi Robert Papavramin si një diktator shembullor, lidhur me punën që ka realizuar.
“Nëse në një jetë tjetër nuk do të kishte obsesion sesi ta bënte të birin një violinist të njohur, do kishte qenë në vendin tim. Por jo në demokraci, por vetëm në një lloj diktature, që vetëm ai di të vendosë”, tha Rama.
Kryeministri Rama citoi gjatë ceremonisë së dekorimit edhe një letër “shfajësimi” të dërguar nga Tedi.
Pas marrjes së medaljes Robert Paparvrami u shpreh se “një emocion të këtillë në jetën time se kam provuar kurrë. Për meritat e shkollës, falënderoj të gjithë kolegët”.

















