Kryeministri Edi Rama tha në Elbasan se më përpara institucionet vendore ishin lënë në harresë nga qeveria, përkundër kujdesit që po dëshmohet sot me investime të standartizuara
Kryeministri Edi Rama tha se reforma e re administrative dhe territoriale është mundësi e mirë për qartësimin e projekteve zhvillimorë në vend.
Kryeministri ishte në Elbasan paradreken e së martës për vëzhguar ecurinë e disa projekteve, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini dhe Prefekti Arben Kamami.
Ai theksoi se më përpara institucionet vendore ishin lënë në harresë nga qeveria, përkundër kujdesit që po dëshmohet sot me investime të standartizuara.
“Jemi dëshmitarë të mungesës së financimit të investimeve. Jemi në fazën ku investimet bëhen me standarde. Kjo është ndalesa e parë në rrugëtimin e rilindjes së qyteteve tona”-tha zoti Rama.
Ai shtoi se tanimë është kaluar në fazën ku investimet bëhen me standarde dhe jo siç tha “për të bërë shfaqje duke prerë shirita”:
“Elbasani ka një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore. Nga ana tjetër po transformojmë stadiumin e qytetin nga një rrënojë lokale në një stadium modern”.
“ Elbasani ka vuajtur për investime në infrastrukture. Jemi zotuar këtu dhe në shumë qendra urbane. Në Elbasan jemi zotuar se do bëjmë në Elbasan sa nuk është bërë në 20 vjet bashkë. Ne do të investojmë përsëri në Elbasan. Sot vetëm krijimi i qendrës së gravitetit që do shkojë deri në rrugicën e fundit të qytetit”- u citua zoti Rama nga ATSH-ja/
Kryebashkiaku Sejdini tha se investimet po zhvillojnë Elbasanin, duke shtuar falenderime zotit Rama për ndihmën:
“Në 11 tetor do presim skuadrën e Danimarkës në stadiumin e Elbasanit. Faleminderit për vëmendjen e qeverisë dhe kryeministrit Rama”.
Prefekti i Elbasanit, Arben Kamami theksoi se investimet që po bëhen tani janë më të rëndësishmet.
















