Nga Arben Velo
Ora 06. 00 e çdo mëngjesi e gjen Samiun nga Mbrostari, në rrethrrotullimin e pallateve të emërtuara prej vitesh“sharrë” në qendër të Fierit. Në pjesën e pasme të biçikletës së tij ai mban arkën me dhjetë bidonë plastikë, të mbushur me qumësht. Lëngun e bardhë që grekët 2 mijë vite para erës së re ia dhuronin zotave, ai e “dhuron” 100 lekë një bidon 1.5 litërsh.
Nxiton të shpërndajë qumështin e freskët, siç e quan ai, të sapomjelë nga dy lopët që i mban në regjim stalle në shtëpi. “I mjel tani herët në mëngjes dhe përfitoj 15 kg qumësht për vakt. Jam i abonuar te disa familje. Kam krijuar besim tek ta”. Kështu e nis bisedën e vet Samiu, shitësi ambulant i qumështit. Pyetjes se a kanë besim klientët e tij qytetarë në cilësinë e qumështit që iu jep, ai i përgjigjet:
“Në Kur’an thuhet se qumështi dhe gjaku kalojnë nëpër vena të njëjta, kurse në fund qumështi është i bardhë dhe gjaku i kuq. Kjo do të thotë se ne ushqehemi nga ky qumësht i bekuar dhe kurrë nuk duhet të abuzojmë me cilësinë e tij. Duhet të jemi zemërbardhë. Unë sapo e mjel nga lopët e sjell këtu. Çdo mëngjes arrij të fitoj 1 mijë lekë. Por ajo që dua të them është se çmimi është shumë i ulët”. Për të marrë një shishe ujë, paguan 50 lekë. Për të blerë një litër qumësht, fabrikat e përpunimit të qumështit paguajnë 38 lekë për litër. Në këto kushte kam vendosur të shes vetë. Dhe nuk bëj hile duke shtuar sasinë e qumështit me ujë”.
Sapo i themi se është e ndaluar të tregtosh në rrugë, e aq më keq produkte shtazore si qumështi, Samiu përgjigjet se nuk mund ta ndalojnë të ushqehet dhe të mbajë shpirtin gjallë. “Unë e kam lidhur jetën time pas bishtit të lopës, siç i themi ne. Punoj gjithë ditën me familjen për të mbledhur bar, apo rritur jonxhishtë dhe misër. Dy lopët që kam, duan ushqim që të më japin qumësht. Prodhim tjetër nuk kam. Viçat që rrit i shes për mish pasi mbushin vitin. I marrin kasapët.
Por prap shumë lirë. Kështu që vetëm qumështi më ngelet të ushqehem. Më ka ndodhur që më kanë marrë bidonët me qumësht policia bashkiake. I kam kuptuar. Bëjnë detyrën e tyre. Por unë nuk i sëmur njerëzit me qumështin e lopëve të mia. Ushqehem vetë prej tyre dhe ushqej edhe ata blerës me këtë prodhim shumë të mirë. Ju them të mos kenë frikë. Kjo është besa ime. Ata më paguajnë. Unë ju jap ushqim të pastër për familjet e tyre”.
Shpërndarja
Pas gjysmë ore ai ka shpërndarë shumicën e dhjetë bidonëve që ka në arkën e lidhur në pjesën e pasme të biçikletës. I kanë ngelur edhe tri shishe. “Nuk do të jenë në shtëpi këto familje, sepse duhej të kishin ardhur”, pohon Samiu. Në kthesën e rrugicës duket një grua e moshuar. Samiut i qesh fytyra: Erdhi dhe Vera! Gruaja pasi përshëndet dhe e pyet për shëndetin e familjes dhe të atij personalisht, merr një shishe qumësht dhe bën të largohet.
Pse blen qumësht në rrugë i them, nuk ke frikë? Më sheh çuditshëm dhe më përgjigjet shpejt: “Unë kam vite që blej te Samiu. Jam e kënaqur! Nuk kam pse të kem frikë”! Dhe ikën. Nuk do të bashkëbisedojë. I lëshon në dorë monedhën 100 lekëshe Samiut dhe largohet. Samiu ka dhe dy shishe pa shitur. I vendos në trotuar buzë rrugës. Ndërsa vështron akrepat e orës, më lutet të mos bëj foto dhe të mos i përmend emrin në shtyp.
Kjo mund t’i kushtoj deri në sekuestrim të bidonëve apo penalizim që ai të mos shes më qumështin e dy lopëve ku gjallon jeta ekonomike e familjes së tij. “Mos harro, ne kemi jetuar dhe do të jetojmë nga qumështi djathi dhe mishi”!. Shumë bashkëfshatarë të tij kanë zgjedhur një rrugë tjetër. Në orën që ai mbërrin në Fier, përballë ndërtesave të tyre kalon një karrocë me depozitë që mbledh qumësht. Çdo fermer mund të shes aty qumësht duke u paguar me 380 lekë të vjetra litrin.
Kjo pas analizës që i bëhet në moment qumështit, (për ujë, kontaminim) etj. “Unë nuk mund të jap 15 litra qumësht për 6 mijë lekë -pohon ai. Fermerët shqiptarë ndodhen në dilemë. Ta dorëzojnë qumështin në fabrikat e qumështit, që e marrin shumë lirë, apo ta shesin vetë duke marrë parasysh rrezikun e gjobave, sekuestrimit të produktit dhe ndalimin e shitjes në çdo vend që nuk plotëson kushtet higjienosanitare?
Beteja e autoriteteve me prodhuesin-fermer
Nga institucioni i AKU përgjigjen se është e ndaluar kategorikisht shitja e produkteve të qumështit dhe ato shtazore në rrugë. Ky është një problem i madh që ka të bëjë me shëndetin e të gjithë ne – pohon kreu i AKU Frederik Çuko. Edhe pse i përket si problem Bashkisë që të ndjek këtë lloj tregtie, unë mund të them se kjo lloj shitjeje me bidonë plastikë sjell rrezik për nivel të lartë të kontaminimit të qumështit si lëndë e parë, për rrjedhojë edhe e nënprodukteve të tij. Janë kushte aspak të favorshme higjienosanitare. Ne kemi kërkuar që gjatë mjeljes së kafshëve duhet të përdoret bunkeri ftohës.
Ruajtja në temperaturë optimale 4-6 gradë të qumështit të mjelë nuk zbatohet me rigorozitet dhe distanca dhe natyra e shpërndarë e ekonomive fshatare dhe mungesa e infrastrukturës i vështirësojnë edhe më tepër këtë problem”-tha ai . “Konsumatorët në vend ende nuk arrijnë të ndërgjegjësohen nga cilësia e produkteve.
Ata më shumë priren nga çmimi”, thonë specialistë të autoritetit Ushqimor. Të njëjtët specialist pohojnë se ka abuzime jo vetëm në tregtimin e qumështit, por dhe me emrat e djathërave të prodhuara në krahina të përmendura për përpunimin e bulmetit. Por jo vetëm këtu. Abuzime ka edhe me plotësimin e kushteve higjienosanitare, plotësimin e kushteve për tregtim, vendosjen e etiketave në produkt, etj. “Nisur nga këto fakte, dhe me nisjen e sezonit të ri veror ne kemi nisur një tjetër aksion.
Tashmë vëmendjen tonë e kemi përqendruar jo vetëm në tregtimin në rrugë, por sidomos në supermarkete dhe njësi tregtimi të qumështit nënprodukteve të tij dhe atyre shtazore- tha kreu i AKU. Nga kontrollet në Lushnjë, Divjakë dhe Fier, kemi arritur të sekuestrojmë një sasi prej 120 kg sallam, 24 kg djathtë, etj. Këto produkte nuk kishin etiketë malli, apo datë skadence.
Gjashtë subjekte janë ndëshkuar me gjoba. Janë 700 mijë lekë të reja gjobë të vendosura brenda këtyre ditëve nga Autoriteti ynë dhe shpresojmë që me vendosjen e pullave të garancisë nga AKU konsumatori të marrë besimin e plotë se produkti që do të konsumoj është 100% i mbrojtur dhe i padëmshëm për shëndetin e tij”. Në ditën e djeshme inspektorët kanë vijuar kontrollet e tyre në supermarketet e Fierit. Ndërsa në sitë do të kalojnë gjithë njësitë shitëse dhe tregtare edhe në njësitë administrative të bashkive pjesë e qarkut Fier.
Bashkia Fier
Bashkia Fier e sheh fenomenin sidomos te mungesa e tregjeve në ish njësitë e qeverisjes vendore, sot njësi administrative të Bashkisë. ‘Mënyra e tregtimit në ambiente jo të përshtatshme, mungesa e certifikatave veterinare si dhe fletë-analizave, janë pikat ku ne po vendosim punën tonë të përditshme”- thotë Drejtoresha e Përgjithshme e Shëndetit dhe Shërbimit Veterinar, Luiza Strati. “Tregjet, në këto njësi duke qenë të hapura dhe të lëvizshme sipas ditëve të javës, krijojnë probleme.
Kemi vendosur mjekë veterinarë dhe specialistë me dy turne, jo vetëm në këto tregje, por në njësitë administrative. Me qëllim të parandalojmë therjet në rrugë,shitjet e qumështit dhe nënprodukteve të tij në rrugë, pa kushte higjienosanitare dhe bunker ftohës, po bashkëpunojmë me fermerët dhe drejtuesit e njësive administrative. Në Cakran, Bishan, Fier, aksioni ka disa ditë që ka nisur”-pohon ajo.
Rritja e temperaturave dhe sezoni veror na detyron të qëndrojmë në gatishmëri për të garantuar konsumatorin. “Aksionin e kemi së bashku me policinë bashkiake. Thelbi është mbrojtja nëpërmjet kontrolleve të ushqimeve me natyre bimore dhe natyrë shtazore”,-shton ajo. Tregtimi në rrugë i qumështit dhe nënprodukteve të tij është i ndaluar Kreu i Bashkisë ka nxjerrë edhe urdhëresat përkatëse për Drejtorinë tonë dhe policinë bashkiake.
“Raste sporadike ka patur Por nuk është lejuar dhe nuk inkurajohet ky lloj tregtimi. E thashë, problem ngelet tregu i hapur. Po synojmë përmirësimin e tregjeve përshtatjen e tyre dhe mbi të gjitha projektet për ndërtimin e tregjeve bashkëkohorë në zona të veçanta të njësive administrative duke përshtatur disa njësi të afërta gjeografikisht dhe jo vetëm, me njëra tjetër ,në një treg të përbashkët bashkëkohor”-përfundon ajo. Aksioni i Bashkisë dhe AKU Fier po zhvillohet paralelisht,duke patur parasysh kalimin në sitë të të gjitha njësive shitëse dhe tregtare të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit dhe ato shtazore.















