Ekzekutivi ka pranuar më 8 mars nga Kuvendi i Kosovës projektligjin për ndryshimin e misionit të FSK-së, të iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi.
Kur kanë mbetur edhe dy ditë kohë në Qeveri, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjeje se a do të procedojë këtë projektligj, pas kundërshtimit që i kanë dhënë këtij projektligji ndërkombëtaret.
Lajmi.net ka pritur afër një javë përgjigjeje për këtë çështje, por as zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi e as këshilltari për media i kryeministrit, Faton Abdullahu nuk kanë kthyer përgjigjeje.
Zyrtarët të LDK-së, por edhe vet kryeministri Mustafa kanë thënë se Ushtria e Kosovës duhet të bëhet në pajtim më ndërkombëtarët, duke kundërshtuar kështu nismën e presidentit Thaçi që Ushtria të bëhet me anë të ndryshimit të projektligjit për FSK-në.
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e Financave dhe Integrimeve Evropiane kanë dhënë mendim pozitiv për këtë projektligj.
E pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-ve dhe NATOS, të cilët kërkojnë që Ushtria të bëhet më anë të ndryshimeve kushtetuese, ku nevojitet edhe vota e Listës Serbe, ekspertë ushtarakë vlerësojnë se Qeveria duhet ta procedojë projektligjin në Kuvend.
Ish-gjenerali i luftës Agim Çeku, tani deputet i Kuvendit të Kosovës ka thënë për lajmi.net se Qeveria duhet ta procedojë ligjin në Kuvend, ku më pas i mbetet legjislativit të vendos nëse do ta procedojë.
“Qeveria duhet të veprojë sipas ligjit, ta kthejë në Kuvend. Unë besoj që Qeveria do ta kryejë këtë obligim të vetin dhe i mbetet Kuvendit ta procedojë apo ta shtyjë për një kohë. Unë besoj që krerët e shtetit kanë vendosur që përparësi ti japin transformimit përmes ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Çeku për lajmi.net.
Formimin e Ushtrisë me anë të ndryshimit të projektligjit për FSK-në, tash nuk po shihet si mundësi as nga Presidenti Thaçi, i cili kishte iniciuar një nismë të tillë. Ndonëse ai ishte shprehur se nuk ka kthim mbrapa, tash ka deklaruar se do të nisë bisedimet me palën serbe për t’i bindur ata që të votojnë ndryshimet kushtetuese që Kosova të formojë Ushtrinë.
Ai këtë e kishte thënë pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili haptazi kishte kundërshtuar nismën e Thaçit për Ushtrinë.
Zyrtari amerikan gjatë vizitës së tij në fund të muajt mars në Kosovë, i kishte bërë thirrje Qeverisë që ta tërheq projektligjin për ndryshimin e misionit të FSK-së.






















