Organizata jo-qeveritare Emancipimi Civil ma Ndryshe (Ec Ma Ndryshe) e ka publikuar një raport hulumtues rreth qendrës historike të Prishtinës, sipas të cilit kjo qendër është në fazë të degradimit të skajshëm.
Hajrullah Çeku nga kjo organizatë, ka thënë se megjithatë ekziston një mundësi e fundit për ta shpëtuar këtë zonë historike.
“Ne jemi duke i shikuar dy fusha kryesore në komunë: e para lidhet me ndërtimet pa leje dhe planifikimin urban në përgjithësi në qytet por edhe në komunë për të cili ne vazhdimisht publikojmë harta të ndërtimeve pa leje në lagje të ndryshme të qytetit, ndërsa fusha e dytë ose komponenta e dytë që jemi duke e shiku është trashëgimia kulturore por me fokus në qendrën historike të Prishtinës, në pjesën që sot është vështirë e dallueshme vizuelisht por që ne po besojmë që ende ekziston një mundësi e fundit për ta shpëtuar atë që njihet si qendra historike e Prishtinës dhe ku është e fokusuar më s shumti trashëgimia kulturore në Prishtinë”, ka thënë ai.
Edhe hartuesja e raportit, Flaka Xërxa, ka thënë se kjo qendër mund të shpëtohet nëse merren vesh institucionet kryesore për mbrojtjen e monumenteve kulturore e historike në vend.
“Gjendja ekzistuese e qendrës historike të Prishtinës rezulton të jetë mjaft alarmante dhe ne i kemi nxjerrë këto problematika kryesore. E para listohet mungesa e bashkëveprimit institucional, në këtë rast bashkëveprimi në mes të tri institucioneve kyçe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunës së Prishtinës, rezulton të jetë një qark që nuk mbyllet. Nga të gjitha palët e intervistuara, rezulton të jetë që të gjitha palët përgjegjëse e kanë vullnetin e mirë që ta iniciojnë çështjen e trajtimit të qendrës historike të Prishtinës, mirëpo iniciativa e mirë pritet pikërisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Si problematikë tjetër është pikërisht mungesa e kufijve të definuar të zonës. Meqenëse zona nuk ka një status ligjor, kjo i paraprin faktit se mungesa e kufijve të definuar të zonës dhe jo-definimi i tyre në aspekt ligjor ka dërguar në degradimin e tejskajshëm pikërisht duke u ndalur në aktivitetet ndërtimore të cilat janë duke ndodhur në të”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, Xërxa ka shtuar se kjo qendër mund të shpëtohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme duke ia ruajtur edhe vlerat e dikurshme nëse respektohen disa rekomandime si: ndërprerja e aktiviteteve ndërtimore në këtë qendër, zbatimi i masave ndëshkuese për veprimtaritë dëmtuese nga ana e organeve përgjegjëse, bashkëpunimi më i madh në mes të institucioneve përgjegjëse për këtë qendër, marrja e përgjegjësisë nga to etj.
Ec Ma Ndryshe është organizatë jo-qeveritare e cila deri më tani ka funksionuar më shumë në rajonin e Prizrenit derisa që nga fillimi i këtij viti e ka shtrirë aktivitetin e saj monitorues edhe në komunën e Prishtinës, kryesisht në ndërtimet pa leje dhe trashëgiminë kulturore.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...














