Nga Artur Zheji
Shqipëria ngjan ende si në përshkrimet romantike të Rilindjes Shqiptare, me një Bukuroshe të Fjetur, që falë një magjie të zezë apo një mallkimi, ka rënë në një gjumë të thellë, që fare pak gjë e ndan nga vdekja e pakthyeshme.
Një Vend pra, që më së shumti të zymtëson, nëse lexon me mendje dhe zemër ditarin e gjatë dhe dramatikisht të pasur të gjëmave dhe të bëmave që ndodhin çdo ditë përreth dhe brenda tij. Duket si një shaka për shembull, që “Princi” apo “princat” që i kanë dalë për zot kësaj “Bukurosheje”, nuk lodhin ende zë e buzë për të folur me të madhe për rrezikun që komshinjtë tanë, respektivisht Maqedonia dhe Greqia, duan të zhbëjnë hiç më pak, se sa dy lumenj të Shqipërisë: Radikën dhe Vjosën. Kur dihet, si edhe shkruhet në mjaft traktate gjeopolitike, se në 20-vjeçarin e ardhshëm, e më pas edhe për shumë e shumë vite më tej, lufta për naftën do të zëvendësohet detyrimisht, me Luftën e Ujit.
Harxhohet kohë, letër dhe hapësirë mediatike për shumëçka, pikësëpari nëse është intrigë politike, dhe mendjet e ndritura të elitës, gjithmonë nëse kemi dot një të tillë, me pak përjashtime, nuk harxhojnë as disa gramë energji e firomë për të sendërtuar një Qëndresë Kombëtare, ndaj kësaj grabitjeje ndërkombëtare që na kanoset. Ne dhe sidomos më shumë, brezave që do të vijnë më pas.
Nëse këto 25 vite postkomuniste kanë krijuar një reliev të ri social në Shqipëri, pra kanë krijuar të pasur dhe pronarë të mëdhenj, kanë krijuar Banka apo grupe financiare gjith’ e më të fuqishme, kanë krijuar një klasë politike të pasur dhe një Kastë trasversale, që ka tentakulat kudo, në çdo “cicë” që prodhon qumësht, në çdo pus që rrjedh naftë, në çdo pëllëmbë plazh dhe në çdo anëdet të lakmueshëm, në çdo livadh pjellor që na ushqen dhe në çdo basen që na shuan etjen, e pra, në çdo qindarkë të pasurisë publike, dikush apo ata, marrin që në burim pjesën e tyre, si dikur në feudalizëm, gjithsesi kish një alibi që mjerisht nuk qëndron më.
Alibia ka të bëjë me krijimin gjithsesi, edhe në këtë përmbysje sociale, të asaj që quhet Borgjezi Kombëtare e më pas, me atë që mund të mbiquhej Aristokraci Mendore e një Kombi. Nëse kjo që ka ndodhur, në ndryshimin rrënjësor të relievit social të Shqipërisë pra, do të kish pjellë edhe këto dy dukuri:
Borgjezinë Kombëtare dhe Aristokracinë Mendore Kombëtare pra, e cila nuk mund të jetë e varfër dhe duhet të mos ketë kurrsesi kokëçarje të korruptueshme financiare, atëherë mund të pohonim se ia paska vlejtur diçka. Se kjo shoqëri, edhe përmes vuajtjesh e padrejtësish të thella e të pandershme, krijoi dhe ka Mburojat e veta, të cilat fatin e tyre financiar apo ekzistencial, e lidhin me fatin e atdheut të tyre. E lidhin në mënyrë të pazgjidhshme dhe të patjetërsueshme, e pra garantiste. Kështu kanë bërë Borgjezitë Kombëtare të vendeve të mëdha, si Anglia, Franca apo Gjermania. Herë në sulm e herë në mbrojtje. Herë keq e herë mirë, por gjithmonë deri në fund me Atdheun e tyre. Duke u ushqyer pasurisht prej tij, por edhe duke e mbrojtur atë.
Se në moçalin tonë social do të donim të kishin mbirë dy Elementë, që do të vinin në punë mekanizmin e shërimit të shoqërisë. Mirëpo, nëse peshojmë atë që shohim dhe dëgjojmë, në majat e super të pasurve apo të superpushtetshmëve shqiptarë, është e pamundur ose mungon kjo Dritë, e thënë ndryshe kjo Vetëdije.
Ende askush nuk thotë, në një formë ose në një tjetër: Mjaft! Vura aq pasuri sa ushqeva dhe ngopa dëshirat dhe pasionet e mia të krisura, të pamoralshme apo rebele qofshin. Tani, dua të pasuroj Vendin tim. Sepse dua të pasurohem edhe më. Por ndryshe. Të pasuroj identitetin tim. Origjinën time.
ADN-në time shqiptare.
Çdo iluzion se do të ndizet një dritë, qoftë kjo e zbehtë, në një rrugë të humbur pylli të një nate të gjatë pa hënë, fiket sakaq për 1001 arsye.
Dhe, mjerisht, nga të 1001 arsyet, 999 arsyet janë egoiste dhe fillojnë me përemrin: Unë!
Për të mos e ulur shilarësin e mendimit, në pulsimet erëkëqija të moçalit tonë të përditshëm, po largohem nga dialogu ynë sa imagjinar aq edhe i vërtetë, miqtë e mi, mrekullisht të shumtë, lexues, komentues apo kontestues qofshi, duke lënë pas këtë pandehmë, sëpaku jomoçalore…
Nuk është aspak turp dhe as pavlerë të duam kur e shajnë dhe përdhosin dhe grabisin Bukuroshen tonë të Fjetur, paçka se nuk është më e bukura, paçka se do të donim të ishte një Princeshë, por është thjesht një Bujkeshë me thembra të plasaritura dhe me gjinj të rrëzuar nga jeta e keqe.
Sado retorike të duket, në Fillim dhe në Fund, më e mençura dhe më e dobishmja zgjidhje, duke mos harruar që jemi, përgjithësisht dhe kush më shumë e kush më pak, mëkatarë, të fundëm, të pangopshëm, më e mençura zgjidhje pra, është në të vërtetë ajo që duket edhe më budallaqja:
Dashuria.
Aq më tepër për Nënën e Fjetur, në gjumë të thellë të paravdekjes.
















