Në tre dalje të njëpasnjëshme, zyrtarë të mazhorancës kanë ngritur të mërkurën shqetësimin për atë që mund të ndodhë gjatë protestës së ditës së enjte.
Më i ashpër në qëndrimin e tij ishte deputeti i PS, Taulant Balla, që foli për dhunë e destabilizim, ndërsa ngriti gishtin drejt Sali Berishës.
Por çfarë do të ndodhë nesër?
Vazhdon të ketë shumë spekulime në media në lidhje me protestën e të enjtes.
Një e përditshme pranë qeverisë thotë se ka një skenar të dhunshëm, që ka shqetësuar diplomatët e huaj.
Disa media të tjera thonë se ka një skenar për të bllokuar deputetët e mazhorancës brenda në Kuvend.
Ndërkohë po komentohet sërish një thënie e Edi Palokës, nënkryetarit të PD, se populli do e tejkalojë opozitën.
Për Panoramën, Paloka thotë se: “Unë jam shprehur se në filozofinë e PD nuk ekziston dhuna. Rama dikur deklaronte lidhur me kontrollin e turmave apo të qytetarëve se në rste të tilla janë qytetarët që drejtojnë dhe është e pamundur t’i kontrollosh”.
I pyetur për faktin se në prokurori Sali Berisha ka deklaruar se ishte Paloka që e ka informuar për komplotin për vrasjen e Doshit, nënkryetari i PD thotë se nuk komenton hetimet.
















