“Ishallah nuk sëmureni!”. Këto janë fjalët e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, në konferencën për prezantimin e vëzhgimit të qendrave shëndetësore. Raporti i publikuar nga USAID për shërbimin që ofrojnë qendrat shëndetësore në vendin tonë ka nxjerrë zbuluar qeverinë për premtimet e dhëna ndaj qytetarëve shqiptarë. Ministri Beqja edhe pse përballë shifrave aspak optimiste nuk ka hezituar që t’u kujtojë mjekëve sërish, se për të rifreskuar njohuritë e tyre, si e vetmja mënyrë do të jetë testimi.
Përballë një mungese aparaturash, ilaçesh të duhura në qendrat shëndetësore, Beqja në takimin me ambasadorin amerikan Donald Lu, u ka kujtuar qytetarëve shqiptarë skemën më të fundit të qeverisë se shëndetësia falas do të jetë për të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksa. Ndërkohë, realiteti i USAID tha të kundërtën e asaj çfarë ministri deklaron çdo ditë para mediave. Shëndetësia është aty ku thërret qameti. Qytetarët sipas raportit nuk marrin shërbimin e duhur shëndetësor dhe pengesë në këtë rast nuk është personeli shëndetësor, që me çdo kusht do ta testojë ministri, por janë mungesat e aparaturave dhe ilaçeve efikase, që mungojnë në qendrat shëndetësore, por edhe në spitale. Një pjesë e mirë e Qendrave Shëndetësore në vend nuk kanë pajisjet e duhura për të ofruar shërbim shëndetësor ndaj qytetarëve, ndaj sipas ambasadorit amerikan Donald Lu, të dhënat e një vëzhgimi të kryer në 550 Qendra Shëndetësore në vend, nga një projekt i mbështetur nga USAID tregojnë një realitet ndryshe ndaj atij çfarë thuhet në media. “Vetëm 57% e klinikave kishin pajisjet e duhura, vetëm 54% kishin ilaçet e sakta, vetëm 32% e rasteve të sëmundjeve brenda familjes ishin dokumentuar siç duhet”, deklaroi ambasadori Donald Lu. Por nga ana tjetër, ndërsa ministri Beqja deklaron, se check up-i falas ka filluar të aplikohet në 100 qendra shëndetësore krejt të kundërt jep raporti sipas të cilit ky lloj shërbimi nuk ka filluar akoma të zbatohet. Pra, shërbimi i shumëpërfolur i kontrollit bazë shëndetësor për grupmoshën 40-65 vjeç, ende nuk ka nisur zyrtarisht për qytetarët, të cilët janë mjaft të interesuar për marrjen e këtij shërbimi. Edhe pse ka një interesim të madh nga personat që e përfitojnë atë, akoma në fakt një shërbim i tillë nuk ka nisur që të zbatohet.
Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, Ministria e Shëndetësisë shpalli zyrtarisht fushatën e komunikimit të kontrollit bazë shëndetësor, që do të ofrohet falas për grupmoshën 40-65 vjeç, rezident në Shqipëri. Nga institucioni në fjalë nuk u dha një datë për nisjen e ofrimit të shërbimit, por u theksua se brenda 15 dhjetorit të vitit 2014 do të niste puna për zbatimin e programit. Mirëpo, më vonë fillimi i procesit u shty për në muajin janar të këtij viti dhe vetëm disa ditë më parë u njoftua, se checkup-i do të nisë zyrtarisht në poliklinikat kryesore në kryeqytet në vazhdimësi. Nga ky shërbim falas, akoma nuk dihet se kur pritet të përfitojnë 900 mijë shqiptarë në të gjithë vendin.
Në fakt, sistemi qendror i të dhënave për shtetasit që do t’i nënshtrohen kontrollit shëndetësor pa pagesë është një tjetër çështje e rëndësishme e procesit, pasi fillimisht kërkohet ndërtimi i një baze të dhënash, të cilën mund ta realizojnë vetëm dy kompani. Ky proces duhet të niste në fillim të vitit 2015, por Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka publikuar informacione që tregojnë, nëse ka nisur ose jo zbatimi i koncensionit për “check-up”-in falas, ajo çfarë është bërë e ditur vetëm dje ka qenë deklarata e ministrit Beqja se ky shërbim paska filluar aktualsiht në 100 qendra shëndetësore të vendit.















