Propozimi i ri i bërë nga ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin ka kthyer palët në tryezën e negociatave për reformën në drejtësi.
Fillimisht kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike që kanë shprehur konsensusin e tyre për këtë propozim në mbledhjen e grupit, edhe pse për mediat nuk është bërë publik asnjë detaj.
Grupi parlamentar demokrat u mblodh pas një takimi që më herët kryetari Basha zhvilloi me ambasadorët e SHBA dhe BE, të cilët e njohën me variantin e fundit.
Vetë diplomatët ia kanë prezantuar më pas projektin përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Fatmir Xhafaj.
Gatishmëria e shprehur nga këta të fundit ka bërë që negociatorët të kthehen në Kryesinë e Kuvendit për diskutime, ku i pranishëm rezulton të jetë edhe kryetari i PD, Lulzim Basha.























