Prokuroria sekuestroi 600 mijë euro cash, në llogarinë bankare të djalit 9-vjeçar të Rezart Taçit, ky i fundit i arrestuar në Zvicër për mashtrim dhe falsifikim.
ABC NEWS ka mësuar se sekuestrimi i kësaj shume parash ka ardhur pas regjistrimit të procedimit penal ndaj disa kompanive të tregtimit të karburanteve.
Burimet thanë, se në emër të djalit, ish-manjati i naftës në vitin 2013 ka depozituar një shumë prej 1 milionë euro dhe që nga ajo kohë, kjo llogari nuk është prekur. Por, vetëm pak ditë pas publikimit të lajmit për kallëzimin ndaj kompanive të tregtimit te naftës në Shqipëri, bashkëshortja e Rezart Taçit ka filluar boshatisjen e kësaj llogarie.
Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Shtetit, duke parë ndërhyrjen e familjarëve të Taçit në këtë llogari bankare, ka njoftuar Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit, pasi ka konstatuar se brenda disa ditëve, llogaria bankare nga 1 milion euro ka përfunduar në 600 mijë euro, ka vendosur sekuestrimin e saj. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin preventiv të kësaj llogarie, duke urdhëruar bankat e nivelit të dytë të mos lejojnë transferimin apo tërheqje cash nga kjo llogari.













