Nëse e lexon relacionin e prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të bien në sy disa fraza interesante.
Për shembull thuhet se Tom Doshi ka aktivitet politik dhe financiar në Shqipëri, por ka edhe aktivitet dhe lidhje financiare me jashtë.
Në këto kushte ai rrezikon të largohet nga vendi.
Më tej theksohet se “dyshohet se Doshi ka fshehur në banesën e tij apo ambiente të tjera, prova apo sende që janë të lidhura drejtpërdrejt apo tërthorazi me veprat penale për të cilat po hetohet”.
Por ajo që të bie në sy është se prokuroria thotë se po i bën arrestimet për imazh.
“Hetimi i këtij rasti vlerësojmë se ka një rëndësi specifike, ndër të tjera edhe për imazhin e institucioneve shqiptare përballë opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë,” thuhet në relacion.
“U konstatua një rritje e ndjeshme e interesit të shprehur publikisht nga ana e autoriteteve ndërkombëtare që asistojnë dhe mbështesin Shqipërinë në rrugën e Bashkimit Europian, për hetimin e plotë, të shpejtë dhe të gjithanshëm të rastit në fjalë”.
Nuk dihet se përse prokuroria i jep tone politike kësaj ngjarje, por ajo mund të ishte kufizuar duke folur për ligjin.
















