Nga Bashkim Metalia
Për Nami Llapin , ish-ushtarin e UÇK-së, rikthimin e tij në Britani ishte një peripeci për të cilin vetëm ai mundet ta përshkruaj në intervistën e mëposhtme dhënë për The Albanian
Është i martuar dhe ka 4 fëmijë, dy djem dhe dy vajza.
Namiu na tregon për jetën e re që ka ndërtuar duke u përpjekur me çdo kusht që të ndërtoj një të ardhme të garantuar për fëmijët e tij.
Ka hapur një kompani ndërtimi “ALBAKOS” më pas e konvertoi në “INCURVE”i cili ka punësuar dhjetëra punëtorë ku shumica prej tyre janë shqiptarë.
Cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj?
Sekreti i suksesit është këmbëngulja për arritjen e qëllimit. E teksa flitet shpesh për suksesin e njerëzve të ndryshëm jo domosdoshmërish duhet që ta lidhim atë me të ardhurat në vlerë paraje. E kam filluar me stërmundime të mëdha. Nga një punëtor lavazhi kam arritur këtu ku jam.
Njeriu suksesin e tij e shikon në ardhmërinë e tij, tek familja, kujdesi për të, sigurimi i bazës jetësore , që padyshim është pentagrami ku ravijëzohen momente që tingëllojnë lumturi të paqtë.
Jam rikthyer fitimtarë nga lufta heroike dhe e drejt që shqiptarët e Kosovës dhe mbarë kombi shqiptarë e kishin ëndërruar prej dekadash.
Ndërkohë kisha lënë “luksin” londinez duke marrë armën për liri. Desh Zoti dhe iu bashkova familjes i gjallë dhe fitimtar! Si një ish -ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej vitesh si shumë shqiptarë të tjerë jam larguar nga mëmëdheu për një jetë më të mirë.
Sakrificat, peripecitë dhe përpjekjet, për të arritur një mëkëmbje tek kufijtë e normales, si çdo mërgimtarë tjetër m’u desh të përballesha me to, ishin një motiv më tepër për të sfiduar padrejtësitë.
Në realitet iu përkushtova punës, asaj pune, ku lodhja fizike kishte bollëkun (bereqetin), shijen, kënaqësinë, virtytin, motivin dhe padiskutim vitalitetin e qenies njerëzore.
E kam filluar nga zeroja dhe tanimë kam ngritur një emër , e kam filluar i vetëm dhe tani numëroj mbi dyzet punëtorë në kompaninë time.
Shoqëria ime ndërtuese, e thënë ndryshe Kompania e ndërtimit që është e pagëzuar me emrin “INCURVE” ka marrë një format konkurrues . Këmbëngulja dhe iniciativa për të vepruar në një sektor të tillë ndërtimtarie, ka qenë çelësi i punës së palodhur . Kam arritur të mbledh afër vetes dhe të punësoj një numër të madh punëtorësh, ku 90 përqind e tyre janë shqiptarë nga të gjitha trevat. Menaxhimi profesional, punëtorët e kualifikuar në fushën e ndërtimit i ka dhënë një kredibilitet dhe emër të mirë kopanisë që unë drejtoj . Projektet e zhvilluara prej “INCURVE” janë një tregues model i sukseseve të arritura, pasiqë ato konkurrojnë bindshëm kopani me emër në Londër.
Kompania është Bazuar në veri të Londrës. Padyshim unë krenohem për gjithçka kam arritur deri tani. Duke punuar ngushtë me klientët , me konsultime fillestare falas të zhvillimit dhe përfundimit të projekteve, kam arritur këtu ku jam dhe sot.
Ne punojmë ngushtë me klientin, me arkitektë, projektues dhe surveyors charted, duke ofruar shërbime të plota të menaxhimit të projektit me një ekip të plotë , të aftë dhe të kualifikuar. Krenohemi me standardet tona të larta të mjeshtërisë dhe të shërbimit deri në përfundimin. Duke lënë të kënaqur të gjithë stafin e kompanisë dhe klientin padyshim si burimi bazë i kapitalit të biznesit
Mundohem të jem i afërt me punëtorët dhe gjithë ekipin e kopanisë dhe komunikues, duke i trajtuar me respekt dhe dashamirësi , pasi janë njerëzit që kaloj një pjesë të konsiderueshme të kohës.
Itinerari i punës time, padyshim është i ngjeshur, kjo s’do të thotë se familjen e lë pas dore. E gjej mundësinë për të dalë dhe për të shëtitur dhe vizituar vende të ndryshme. Kosova është vizita ime më e shpeshtë pothuaj çdo muaj që bëj vetëm apo së bashku me familjarët e mi.
Gjithçka bëj dhe arrij nga mundi im ia dedikoj familjes sime. Gjithçka që nxjerr nga kjo punë i përkushtohet fëmijëve të mijë me qëllim që të rriten dhe edukohen pa stërmundime. Jam munduar të bëj diçka për të rimëkëmbur çka na ishte shkatërruar nga lufta duke hapur këtë kompani, për të siguruar jetën e familjes sime dhe të fëmijëve të mi.
Çfarë është atdheu për ty?
Ndjesitë më të lumtura që një njëri normal ka është padyshim vendlindja , atdheu ku na lindi dhe rriti.
Atdheu është gjithçka – është simbioza e lirisë dhe dashurisë njerëzore.
Është padyshim stacioni ku gjen prehje , rehati dhe frymëmarrje të lirë.
Dashuria dhe malli që kam për atdheun vlen më shumë sa luksi dhe paraja që fitohet në dhe të huaj. Nga kjo më duhet ta theksoj me vendosmëri të plotë se në mendjen time ekziston kthimi …ngelet vetëm për të vendosur se kur. Edhe pse Britania të ofron mundësi dhe lehtësira më të favorshme si ekonomike ashtu edhe sociale, Kosova është stacioni im i fundit atje dua ta kaloj pjesën e mbetur të jetës sime.
Në çfarë niveli është bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe komunitetit tonë në Britani?
Sigurisht që shqiptarët anekënd , jo vetëm në Britani kanë përparuar dhe ecur shumë në të gjitha drejtimet. Janë arsimuar , kanë ngritur kompani dhe veprimtari të ndryshme social-ekonomike.
Në shqiptarët e Britanisë kemi arritur mjaft në këto drejtime, paçka se akoma jemi në fazat fillestare jo vetëm të bërit biznes por dhe shtrirjen e marrëdhënieve mes njëri-tjetrit , do të thotë mes individëve biznesmen dhe shoqërisë tonë.
Padyshim që kjo marrëdhënie duhet të konsistojë në dhënien dorë, aty ku është më e domosdoshme, bie fjalëve tek njerëzit në nevojë, përkrahja e talenteve të reja etj
Normalisht me kapitalin tonë mund të japim një ndihmese mjaft të madhe që të mund të zhvillojmë qendra social-kulturore për të mbajtur të gjallë çdo gjë që ka lidhje me kulturën dhe traditën tone.
Biznesmenët shqiptarë duhet të solidarizohen, dhe kontribuojnë për bashkatdhetarët e tyre sepse në këtë mënyrë kanë treguar jo vetëm bujarinë që na karakterizon por dhe emancipimin dhe integrimin e vlerave tona në shoqërinë britanike.
Mesazhi?
Shqiptarët kanë se çfarë të tregojnë nga vetja.
Kanë kulturë , traditë dhe një gjuhë për të cilën krenohemi dhe mburremi. Duhet të tregojmë vullnet dhe këmbëngulje për të arrit qëllimin tonë; ruajtjen e vlerave , gjuhës, kulturës dhe traditave tona kombëtare.
Çdo individ apo grupacion që i futet një iniciative qoftë dhe biznes duhet të ketë parasysh që suksesi krahas kapitalit monetarë që do të arrij , që është me rëndësi , një tjetër synim që duhet t’i vëmë vetës është që të kontribuojmë për ta përkrahur kauzën tonë që të jetojmë dhe integrohemi si shqiptarë të civilizuar , gjithmonë duke biseduar, bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
“INCURVE” është një kompani nën emrin tim por ama suksesi së bashku me emrin i dedikohen familjes dhe të qenit gjithmonë afër saj si një shqiptar i qytetëruar – ky padyshim është qëllimi im i arrirë!