Salla ku po zhvillohet procesi në Gjykatën e Krimeve të Rënda është vendosur nën masa shumë të rrepta sigurie
Denion Ndrenika
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për shtetasin Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në Plazhin e Durrësit në 7 gusht 2009.
Prokurorët kërkuan burgim të përjetshëm për secilin prej policëve të vrarë, 25 vjet burg për plagosjen e Fatjon Shamkut, 13 vjet burg për falsifikime dokumentacioni dhe 1 milion lekë gjobë.
Pretencën me arsyetimin e kërkesës për dënimin e Dajtit e paraqiti prokurori Ardian Nezha në një dosje me 75 faqe.
“Përfundimisht në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, i pandehuri Dritan Dajti të dënohet për të gjithë veprat penale, për të cilat akuzohet me buergim të përjetshëm dhe 1 milion lekë gjobë”-tha prokuroria (veprat më poshtë).
Salla ku po zhvillohet procesi në Gjykatën e Krimeve të Rënda është vendosur nën masa shumë të rrepta sigurie.
Dritan Dajti, sipas prokurorisë është vrasës i policëve Kastriot Feska, Fatos Xhani, Altin Dizdari dhe Sajmir Duçkollari që ishin në një operacion për ta kapur si person të shumëkërkuar prej 7 vjetësh dhe i akuzuar gjithashtu për vrasje më parë.
Procesi gjyqësor zhvillohet me dyer të mbyllura pasi i pandehuri ka kërcënuar me jetë një gjykatës.
Dritan Dajti është plagosur duke u paralizuar pjesshëm në atë shkëmbim zjarri të 7 gushtit 2009.
Procesi gjyqësor ndaj Dajtit ka katër vjet e gjysëm që zhvillohet me shtyrje të vazhdueshme të seancave që kanë shënua numrin 275.
Dritan Dajti në pretencën e prokuroisë akuzohet edhe me një numër veprash të tjera penale.
Pretenca e lexuar nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Ardian Nezha
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale të “falsifikim dokumentash” në bashkëpunim; duke falsifikuar dhe përdorur dokumentat e mjetit tip “Volskëagen Touareg” me targa “Cr 535 FR” dhe në bazë të nenit 186/2 të Kodit Penal të dënohet me 2 vjet burg dhe 500.000 lekë gjobë.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “falsifikim i vulave dhe i stampave ose i formularëve”; duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumenta policie dhe në bazë të nenit 190/1 të Kodit Penal të dënohet me 2 vjet burg dhe 500.000 lekë gjobë.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Mbajtje pa të drejtë e uniformës”; duke mbajtur dokumenta dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit dhe në bazë të nenit 247/2 të Kodit Penal të dënohet me 4 vjet burg.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak” dhe në bazë të nenit 278/2 të Kodti Penal të dënohet me 5 vjet burg.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku” dhe në bazë bazë të nenit 79 gërma “ë” të Kodit Penal të dënohet me 25 vjet burg.
-“Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos XHANI dhe në bazë të nenit 79 gërma “c” të Kodit Penal të dënohet me “burgim të përjetshëm”.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Saimir DUÇKOLLARI” dhe në bazë të nenit 79 gërma “c” të Kodit Penal të dënohet me “burgim të Përjetshëm”.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Kastriot FESKAJ” dhe në bazë të nenit 79 gërma “c” të Kodit Penal të dënohet “burgim të Përjetshëm”.
-Të deklarohet fajtor i pandehuri Dritan DAJTI për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Altin DIZDARI” dhe në bazë të nenit 79 gërma “c” të Kodit Penal të dënohet me “burgim të Përjetshëm”.
-Përfundimisht në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, i pandehuri DRITAN DAJTI të dënohet për të gjithë veprat penale, për të cilat akuzohet me BURGIM TË PËRJETSHËM dhe 1 milion leke gjobë.















