74 vjeçari Mlladiq ka hedhur poshtë të gjitha 11 akuzat kundër tij, përfshirë edhe atë për gjenocid si dhe akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokurorët në gjykatën e Kombeve të Bashkuara kanë tri ditë që të prezantojnë argumentet përfundimtare dhe të bindin gjykatësit se Mlladiq “ka kontribuar ndjeshëm në ndërmarrjen gjithpërfshirëse kriminale” nga tetori i vitit 1991 deri më 30 nëntor 1995.
Prokuroria dyshon se qëllimi ka qenë “largimi përfundimtar i myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës nga territori që kontrollohej nga serbët e Bosnjës”, në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mlladiq akuzohet edhe si arkitekti i rrethimit prej 44 muajsh në Sarajevë, ku vlerësohet se 10 mijë njerëz janë vrarë nga granatimi apo nga snajperistët.
Mlladiq gjithashtu akuzohet se ka luajtur rol kyq në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 ku rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës.
Avokatët mbrojtës të Mlladiqit pritet të fillojnë prezantimin e argumenteve përfundimtare më 9 dhjetor.






















