Në Prishtinë sot do të zhvillohet mbledhja e tretë e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Mbledhjen e sotme të qeverive Shqipëri-Kosovë, kryeministri Edi Rama e ka paralajmëruar “me një bilanc pozitiv dhe ambicie për të bërë ende më shumë”, ndërsa kryeministri Isa Mustafa “edhe një hap të përbashkët drejt të ardhmes evropiane”
Sipas axhendës së dërguar, mbledhja fillon në orën 11:20, ndërsa në orën 12:20 bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve dhe në orën 12:40 mbahet konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrave të Shqipërisë e Kosovës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se marrëveshjeshjet që do nënshkruhen janë të fushës së ekonomisë, administrates publike, mjedisit, energjetikës dhe bashkëpunimit ndërkufitar.
Mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri dhe aktivitetet përcjellëse do të zhvillohen në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ku, janë bërë të gjitha përgatitjet.
Mbledhja e parë historike është mbajtur në Prizren në 11 janar 2014, pas së cilës në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës.
Në mbledhjen e dytë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovë, në Tiranë në 23 mars 2015, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare.
Në të tre mbledhjet e përbashkëta, Qeveria e Shqipërisë është e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë kryesohej nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, aktualisht President i Republikës, e në dy mbledhjet vijuese kryesohet nga kryeministri Isa Mustafa. Para mbledhjes së sotme me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, Qeveria e Kosovës u kompletua edhe me emërimin e zëvendëskryeministrit të parë, Hajredin Kuçit, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, poste që i mbante Thaçi deri në zgjedhjen President në muajin shkurt.
AXHENDA:
10: 00 Mbërritja e Delegacionit Shqiptar në pikën Kufitare Vërmicë
(priten nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit).
11:00 Mbërritja e Delegacionit Shqiptar në Bibliotekën Kombëtare
11:10 Pritja Ceremoniale për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
(Pas interpretimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës, Kryeministrat Mustafa dhe Rama prezantojnë kabinetet).
11:20 Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
12:20 Nënshkrimi i Marrëveshjeve.
12:40 Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
13:00 Fotografia e përbashkët.
(Jashtë ambienteve të Bibliotekës Kombëtare)















