Shfaqja e Qendrës Multimedia “Shembja e Kullës së Ajfelit”, me regji të Blerta Nezirit, u shfaq më 23 tetor në teatrin e qytetit Olsztyn të Polonisë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Demoludy.
Spektakli kosovar u përcoll me kureshtje të madhe nga dashamirët polakë të artit dramatik. Shfaqja kosovare i shpërbleu me duartrokitje aktorët Adrian Morina, Shengyl Ismajlin, Ernest Malazogun, Armend Ismajlin si dhe autorin e saj, Jeton Neziraj.
Përkthimin e dramës në gjuhën polake e ka bërë Dorota Horodiska, një përkthyese e shkëlqyer e letërsisë shqipe në gjuhën polake, ndër të tjera, edhe përkthyese e autorit të famshëm shqiptar, Ismail Kadare.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Demoludy, që për herë të tetë organizohet në qytetin Olsztyn në Poloni nga 21 -25 tetor, mirëpriti 11 spektakle nga disa vende të Evropës, kurse për herë të parë shikuesit patën rastin të shohin një shfaqje nga Kosova.
Pas shfaqjes, ekipa kosovare e shfaqjes pati një takim me publikun e pranishëm të festivalit si dhe një ndjenjë miqësore e cila u organizua nga shoqata e miqësisë Poloni -Kosovë, që udhëhiqet nga Haxhi Dulla. Kjo shoqatë vepron tani e disa vite në Poloni.
Fal bashkëpunimit të shoqatës në fjalë me drejtorin artistik të Festivalit, Marcin Zavada, takimi ishte një rast i mirë që krahas artit dramatik nga Kosova, njëherësh të behet edhe promovimi kulturor e politik i Kosovës. Në një ambient të ngrohtë, mysafirët, ndër të tjera, patën rastin të shijojnë edhe specialitete të kuzhinës nga Kosova, e cila gjë u mundësua nga furra “Stajku” nga Prizreni.
Dramaturgu Neziraj, bashkë me ekipën e aktorëve diskutuan me publikun për tematikën e shfaqjes, por edhe për aspekte të tjera politike e kulturore në Kosovë. Ndërsa Haxhi Dulla dha një pasqyrë të gjerë të situatës politike në Kosovë si dhe ju përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.


















