Me historinë e Evropës janë të ndryshme pikëtakimet. Për shqiptarët edhe se nën të njëjtin qiell dhe nëpërmjet valëve të radios, e vështirë ka qenë njohja e kulturës së saj muzikore. E kur vjen rasti për t’u njohur jo vetëm në gjerësi, por edhe në thellësi me një kulturë të tillë muzikore si ajo italiane që i ka dhënë botës autorë të pavdekshëm veprash operistike, shumë prej termave që sot përbëjnë bazën e shkrimit muzikor botëror, artistë dhe dirigjentë të mëdhenj që nga Arturo Toskanini e deri te Claudio Abado etj. nuk mund t’i rezistosh nderimit për të. Kur në vazhdim të asaj tradite muzikore që u lind në Itali në periudhën e Mesjetës do të dilnin edhe paralajmëruesit e Rilindjes në Francë, ata që krijuan artin teorik të harmonisë klasike, me të cilët u dallua baroku francez, s’mund të mos ndihesh i pasuruar e krenar që je bërë pjesë e atij universi shpirtëror mbi të cilin u ngrit kultura evropiane; kultura e muzikës klasike në veçanti, rrënjët e së cilës zbulohen qartë në muzikën baroke, që djepin e pati në Itali e pastaj në Francë (shek. XVI-XVIII).
Një pjesë e formacionit të harqeve dhe disa instrumente frymore të TOB-it ndër të cilët veçojmë katër solistë shqiptarë sollën muzikë nga përfaqësuesit e barokut italian dhe francez në koncertin e së enjtes (23 tetor) në sallën e këtij teatri me pjesë simbolike të këtyre autorëve evropianë të shekujve të shkuar. Në rrugën tonë të njohjes dëgjuam muzikën e François Couperin (1668-1733) që krijonte një atmosferë me ndjeshmëri të madhe poetike. U mahnitëm nga harmonia qiellore e tingujve të pasazheve nga vepra e Jean- Philippe Rameau (1683-1764), artist që ka përfaqësuar apogjeun e klasicizmit francez. Mësuam se është po ky kompozitor autor i këngës Frere Jacques, melodi aq e njohur për fëmijë jo vetëm në Francë. Plot harmoni e situata të papritura ishin pjesët nga Jean-Marie Leclair (1697-1764), krijuesit të shkollës franceze të violinës dhe kompozitor që u njoh po aq në Francë sa në Gjermani. Po kjo muzikë klasike e barokut nuk mund të kuptohej në harmoninë e saj të plotë nëse nuk do t’i jepte tonin e veçantë instrumenti i klavinçembalos, luajtur me përkushtim nga profesori i çembalos në Akademinë e Ruenit, Frederic Hernandez.
Instrument të cilin e kemi njohur nga prezantimi i hershëm që i ka bërë në koncertet recitale nëpër Shqipëri pedagogu i Akademisë së arteve të Tiranës Jusuf Beshiri, studiues dhe ekzekutues i parteve muzikore të kompozitorëve të vjetër italianë. Pjesë e universit shpirtëror evropian e ndjemë se jemi, kur nxënës shqiptarë të shkollave me tradita të hershme muzikore në Evropë, që bashkëpunojnë me emra të mëdhenj të muzikës botërore bëhen pjesëtarë të orkestrave të rëndësishme ose evenimenteve muzikore me karakter ndërkombëtar. Do me thënë, në një raport të ri – dhënës- me kulturën evropiane.
Nga një pozicion i tillë ka ardhur në këtë koncert violinistja e talentuar Abigeila Voshtina që interpretoi me profesionalizëm e hijeshi krejt të veçantë. Në harmoni me karakterin e këtij koncerti me muzikë plot harmoni e bukuri klasike ishte dirigjenti Claude Brendel, që i drejtoi instrumentistët me finesë e hijeshi kalorësiake. Me këtë rast edhe në të tjera si ky duhen përshëndetur përpjekjet e drejtorit Ilir Kerni për t’i dhënë një përmbajtje cilësore repertorit të TOB-it, veçanërisht me afrimin e artistëve të rinj e të talentuar, që me aftësitë e tyre kanë bërë të mundur ta ndjejmë veten më afër ngjarjeve muzikore që ka kaluar e përjeton Evropa.


















