Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mund t’i shpall zgjedhjet e parakohshme vetëm në dy skenarë të mundshëm: një, pas shpërbërjes së Kuvendit me 2/3 e votave të deputetëve të saj; dhe dy, pasi që propozimet e shefes së shtetit për kryeministër, në Kuvendin e Kosovës, do të dështonin dy herë radhazi.
Ai ka thënë që shpallja e zgjedhjeve të reja është një kompetencë që mund të shfrytëzohet vetëm nëse Kuvendit i është shkëputur mandati në mënyrë kushtetuese. Përndryshe, sipas tij, nuk mund të ketë shpallje zgjedhjesh të reja pa iu pas shkëputur mandati Kuvendit, përkatësisht pa u pas shpërbërë ai.
Duke i komentuar deklaratat të cilat vijnë nga Presidenca, e të cilat paralajmërojnë që nëse nuk zgjidhet ngërçi politik, vendi do të shkojë në zgjedhje, Korenica mendon që e para e shtetit këto deklarata i ka bërë pasi që dërgimin e vendit në zgjedhje e ka bazuar në mundësinë që kjo gjë të votohet nga dy të tretat e deputetëve (që kërkon konsensus të klasës politike) ose në atë që ajo (Jahjaga) ta ndjek opsionin e dekretimit të emrit të kryeministrit, dhe pas dy dështimeve për zgjidhjen e kryeministrit vendi të shkojë automatikisht në zgjedhje.
“Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është i ngrirë sa i përket kapacitetit të tij legjislativ, por jo sa i përket kapacitetit të tij përfaqësues. Presidentja mund të bëjë emërimin e kandidatit të parë dhe të dytë për kryeministër, dhe kështu Kuvendi do të ishte i detyruar që në raste të tilla të votonte për emrat e propozuar. Nëse nuk do të zgjidhej Qeveria, vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje. Kjo është e vetmja hapësirë që mund ta shfrytëzojë presidentja, dhe unë besoj se kësaj alternative po i referohet ajo në deklaratat e saj në diskursin publik”, ka theksuar Korenica.
Ai më tutje ka sqaruar se përveç opsioneve të parashikuara me Kushtetutë për shkuarje në zgjedhje të reja, sipas tij nuk ekziston asnjë rrugë tjetër për ta shkëputur në mënyrë të njëanshme mandatin e Kuvendit.
“Duhet ditur që caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e lidhur me atë që së pari duhet shkëputur mandati i Kuvendit, pra duhet shpërbërë Kuvendi, pa shpërbërjen e të cilit është e pamundur të bëhet shpallja e zgjedhjeve të reja. Prandaj, opsioni më i mirë do të ishte gjetja e një konsensusi të përbashkët në mes të Partisë Demokratike të Kosovës PDK dhe bllokut LVAN sa i takon kalimit të këtij ngërçi, ses a hyrja në një skenar të zgjedhjeve të reja me shumë gjëra të paqarta në të”, ka thënë Korenica për Telegrafin.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një prononcim për media ua ka bërë me dije të gjithë liderëve gjendjen në të cilën ndodhet vendi aktualisht dhe rrezikun nga kriza jo vetëm institucionale e politike, por mbi të gjitha buxhetore e financiare.















