Ambasadori britanik Jan Klif thotë se përpara se të shpallen zgjedhjet, duhet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës
Qeveria britanike në Londër nuk mendon se zgjedhjet janë zgjidhje për ngërçin në Kosovë.
Përfaqësuesi më i lartë i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në Prishtinë, ambasadori Jan Klif (Ian Cliff) tha se shpallja e zgjedhjeve në këto rrethana është jokushtetuese.
Ambasadori Klif është shprehur kundër shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme si mundësi e daljes nga kriza aktuale politike.
Zoti Klif i bëri deklaratat për portalin “Indeksonline”, kur arsyetoi se përse ishte kundërkushtetuese shpallja e zgjedhjeve:
“Shpallja e zgjedhjeve përpos që nuk është diçka që i konvenon Kosovës, ajo nuk do të ishte as kushtetuese. Para se të shpallen zgjedhjet, duhet që fillimisht Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet e më pas Presidentja t’i shpall ato”.
Komentet e zotit Klif janë të kundërta me presidenten Atifete Jahjaga, e cila thotë se do t’i shpallë zgjedhjet nëse partitë nuk pajtohen për krijimin e institucioneve.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën me mbështetjen e lëvizjes “Vetëvendosja!” këkrojnë krijimin e qeverisë me arsyetimin se si bllok opozitar i njihur “VLAN” i kanë votat e mjaftueshme.
Partia Demokratike e Kosovës përkundër pamundësisë në vota, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit dhe ka të drejtën e dhënë me vendim të Gjykatës Kushtetuese për të krijuar qeverinë. Bekim Salihu















