Për më keq, këtë gabim e kanë ‘gëlltitur’ të gjitha mediet online të Tiranës e duke e përsëritur lajmin, edhe ndonjë nga Prishtina.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë në Meshën kushtuar Shenjtërimit të Nënë Terezës, të mbajtur nga Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Imzot Angelo Massafra në Katedralen “Nënë Tereza” të Sapës –Vau i Dejës.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh se ndihej i nderuar dhe privilegjuar që merrte pjesë në këtë meshë sa të veçantë aq edhe kuptimplotë.
Por në një pjesë të fjalimit të tij, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Presidencës së Shqipërisë, ndodhet një fjalë brenda fjalisë që i jep kuptim krejt tjetër asaj që kreu i shtetit ka dashur të thotë, raporton lajmi.net.
“Tash do ta kemi të gjithë paksa të vështirë t’i drejtohemi shqiptares së rrallë si Shenjtorja Terezë, por sidoqoftë jemi të sigurt dhe krenarë njëkohësisht se Nënë Tereza përfaqëson dhe mishëron dhuratën më të mrekullueshme e të paçmuar që kombi shqiptar i ka bërë mbarë njerëzimit”, citohet të ketë deklaruar ndër të tjera presidenti i Shqipërisë.

Por kjo fjali e cila në faqen zyrtare të presidencës është e veçuar me ngjyrë e zezë, sipas gjuhëtarëve në Prishtinë është gabim.
Me këtë fjalë brenda kësaj fjalie, del se Nënë Tereza është dhuratë e mrekullueshme, por që kombi shqiptar ia ka dhënë botës si diçka të pavlerë.
Gjuhëtari Ekrem Kryeziu deklaron për lajmi.net se kuptimi i fjalëve ‘paçmuar’ dhe ‘paçmueshme’, kanë kuptime krejt të ndryshme.

Kryeziu sqaron se fjala ‘paçmueshëm’ ka vërtetë kuptimin e diçkaje që ka vlerë shumë të madhe; që është shumë i çmueshëm ose i dobishëm dhe nuk mund të matet me asgjë.
“Që s’mund t’i matet vlera. Psh. dhuratë e paçmueshme. (dhuratë me vlera të mëdha dhe të pakrahasueshme) ose ndihmë e paçmueshme (ndihmë që, edhe po të duam s’mund t’ia kthejmë sepse ka vlerë të paçmueshme)”, deklaron gjuhëtari Kryeziu.
Për ta sqaruar, ai mere dhe një shembull të thjeshtë. “Diamantet kanë vlera të paçmueshme, sepse nuk mund të krahasohen me asnjë vlerë tjetër. Ose X personi është i paçmueshëm sepse ka virtyte të larta njerëzore dhe si të tilla nuk ka vlerë që mund t’i këmbejë ato virtyte.
Pavarësisht këtij gabimi, qëllimi i fjalimit të presidentit shqiptar, nuk diskutohet se ishte për ta lartësuar figurën e Shën Terezës dhe se ajo mbetet me vlerë të paçmueshme për popullin tonë.























