Në momentin që ka parë betonizimin që po ndodh në Parkun e Liqenit, Presidenti i Republikës tha se ndjeu trishtim. Duke u pozicionuar hapur në krah të qytetarëve që protestojnë tek Liqeni, kreu i shtetit e konsideroi ndërtimin një akt vandal dhe të shëmtuar që po prish parkun e fundit publik për fëmijët e Tiranës.
“Kur vjen këtu reagimi i parë është i trishtë. Ky vandalizëm që po i behet Parkut të Liqenit të Tiranës, te vetmes pasuri publike, te vetmes hapësirë qetësie dhe çlodhjeje, që i ka mbetur qytetit të Tiranës është i papranueshëm. Të marrësh dhe t’u prishësh fëmijëve të Tiranës parkun e vetëm, pronën e vetme publike të pushimit dhe çlodhjes, është vandalizëm që s’mund të pajtohet askush.

U takon më shumë se kujtdo tjetër këtyre vajzave dhe djemve të shkolluar për t’u rezistuar vandalëve dhe vandalizmit. Kjo lëvizje qytetare shkon përtej kauzës së Parkut. Tashmë po lind dhe po nis një lëvizje qytetare për emancipim dhe civilizim. Unë ju përgëzoj për këtë. Padyshim që kjo betejë nuk është e lehtë. Beteja e emancipimit me dhunën verbale e fizike nuk është e lehtë, por gjithmonë ka një fillim. Gjithmonë progresi ka nisur nga njerëz mendjehapur, nga njerëz kurajozë që rezistojnë. Në fillim duken si nje grup i vogël fizikisht, por jam i sigurt se me ju janë miliona shqiptarë në Tiranë dhe jashtë saj. Ju inkurajoj të mos lodheni, lëvizja juaj nuk eshte lëvizje partizane, nuk është levizje militantanteske, as politike. Lëvizja juaj është lëvizje perëndimore, aty ku ADN-ja dhe shpirti i shqiptarëve kanë qenë dhe janë të adresuara.” deklaroi Bujar Nishani. Gjatë qëndrimit në zonën e Parkut ku është hedhur beton, Nishani iu përgjigj edhe sulmeve të Erjon Veliajt. Pak minuta më parë, kreu i Bashkisë së Tiranës e kishte quajtur “një mitingash të rëndomtë”, “qesharak” dhe “militant”.

“Nuk është hera e parë që sulme me fjalor rrugësh i adresohen presidentit. Akuzat vijnë nga njerëz që nuk e njohin shtetin, që s’kanë asnjë kontribut. Nuk i kanë dhënë shtetit, por vetëm i kanë marrë. Detyra e Presidentit është të presë qytetarët për shqetësimin. Ata që shqetësohen për sjelljen time kanë mendje të mbyllur.” u shpreh presidenti. Propozimin e Erjon Velisë, që kreu i shtetit t’ia falë Bashkisë vilën në Parkun e Liqenit, NIshani e quajti një spekullim.
“Spekulanti e akuzon presidentin për vilë në mes të parkut, por rezidenca nuk është brenda parkut dhe për më tepër është e shtetit. Këta që kanë kulturën e makutit mendojnë se prona e shtetit është pronë private” tha Nishani.
















