Presidenti Hashim Thaçi ishte i pari që lajmëroi një ditë më parë se Kosovës, pas dy vitesh i kishte ardhur një njohje e re. Përmes një mesazhi në Twitter, Thaçi njoftoi se e kishte marrë lajmin nga ambasadorja e saj, në SHBA, Vlora Çitaku, që thoshte se Xhamajka e kishte njohur pavarësinë e vendit. Për këtë, ai falënderoi dhe kongresmenin amerikan Eliot Engel.
Por nuk ka zgjatur veçse pak orë gëzimi për njohjen e radhës, meritat e së cilës nxituan t`i merrnin disa liderë në vend, sic thekson shtypi kosovar. Ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, ua frenoi të gjithëve hovin me postimin në Twitter ku e mohonte lajmin e madh. Presidenca kosovare i është përgjigjur interesimit të mediave, duke theksuar se informacionin e morën nga Çitaku.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione te tjera, lutemi t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës. Vetë Çitaku nuk ka reaguar as mbrëmë e as sot në rrjetet sociale, për të dhënë detaje se si qëndron e vërteta.



















