Policia e Kosovës ka arrestuar sot një aktivist të Lëvizjes Vetëvendosjes ndërsa ka ftuar në Polici edhe kryetarin e saj Albin Kurtin. Ndaj kësaj ka reaguar VV, e cila thotë se “Në ditët e fundit në mënyrë shqetësuese është shtuar kontrolli dhe kërkimi policor mbi aktivistët Lëvizjes VETËVENDOSJE”. Por, Policia e Kosovës, përmes një njoftimi thotë se nuk kanë tendencë ndaj kësaj lëvizje apo personi të caktuar.
“Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria Rajonale në Prishtinë me njësitet e saja policore, ka realizuar një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata kompetente lidhur me shoqërimin e një personi (K.D.) të kërkuar për paraqitje në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Policia e Kosovës është institucion profesional në realizimin dhe përmbushjen e detyrave konform procedurave të parapara ligjore dhe nuk ka tendencë ndaj asnjë personi apo subjekti të caktuar siç thuhet në deklaratën e subjektit politik ‘Vetëvendosje’”, thuhet në sqarimin e Policisë.
Policia njofton opinionin publik se ky institucion ka zbatuar urdhëresën e lëshuar nga organet e drejtësisë e cila sipas tyre, është njëra nga detyrat e përcaktuara me ligj për Policinë e Kosovës.















