The Albanian
Nuk përbën më lajm se Z.Qirjako Qirko është dekretuar prej 2 muajsh ambasador i Republikës së Shqipërisë në Britani.
Me Nr. Dekretit 9574 Tiranë, më 05.05.2016 Presidenti i Republikës dekretoi ambasadorin në Londër, duke hequr çdo hamendje për atë që quhet përplasje institucionale.
Ambasadori nuk ka ardhur akoma. Periudha dy mujore duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për “të bërë gati plaçkat” e për rrjedhojë, shteti shqiptar vazhdon që të mos përfaqësohet me ambasador në Londër, që nga tetori i vitit të kaluar.
Nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë vonesë dhe gjithçka duket se shkon në sinkron të plotë me “punët e Shqipërisë” ku se merr vesh i pari të dytin, e madje as që mund të flitet për seriozitet shtetëror sidomos kur vjen puna për sektorë delikatë siç është diplomacia. Më kot përpiqesh të kujtosh fjalët e ministrit të jashtëm për reformën e thellë që do të bëhej, e për strategjitë etj etj, qe mbesin thjesht premtime. Një gjë duket se do të jetë i sigurtë. Ambsadadori i ri nuk do të “shpërfillet” nga ministria dhe me patjetër nuk do të ketë fatin e paraardhësit, që hyri si rasti më i paprecedentë në historinë e diplomacisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar, ku shteti nuk njihte ambasadorët e tij.
Me patjetër do të ketë shofer dhe makinë në dispozicion dhe nuk do të përdorë shërbimin e transportit publik, si paraardhësi dhe janë shumë e shumë punë që e presin.
Gjithsesi nuk mund të gjendet asnjë përgjigje logjike për vonesën e ambasadorit dhe ka gjasa të abuzohet me arsye të tilla si fillimin e kohës së plazhit në bregdetin shqiptar dhe duket se zë vend edhe aludimimi se sikur me maune të ishte nisur Shkëlqesia e Tij tashmë do të kishte mbërritur…















