Zivulov Strahinja, 28 vjeçar nga veriu i Mitrovicës, është plagosur me armë zjarri mbrëmë pas mesnate në veri të Mitrovicës, ndërsa viktima ndodhet në spitalin e veriut dhe është jashtë rrezikut për jetë, bëjnë të ditur burime të Kosovapressit.
Sipas këtyre burimeve, viktima është i njohur për veprimtari të ndryshme kriminale, ndërsa dyshohet se është sulmuar nga rivalët e tij.
“Mbrëmë rreth orës 1:35 pas mesnate, afër furrës së Monit në Lagjen e boshnjakëve, nga një automjet në lëvizje, është shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës derisa ai po ecte këmbë, dhe pasi viktima është rrëzuar si i vdekur, automjeti ka ikur me shpejtësi në drejtim të urës kryesore të Ibrit”, kanë thënë burimet.
Burimet më tej kanë shtuar se viktima ka marrë një plumb në kokë dhe një në pjesë të trupit, dhe policia është duke e ruajtur në njërën nga dhomat e repartit të kirurgjisë në spitalin e veriut të Mitrovicës, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Mësohet po ashtu se viktima është i njohur në veri si diler i narkotikëve dhe veprimtarive tjera kriminale, ndërsa dyshohet se sulmuesit kanë qenë rivalë të tij.















