Nga Shaban Murati
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, si një nga detyrat kryesore aktuale të diplomacisë së Kosovës, ka arritur një pikë ngopjeje pas së cilës dinamika e saj nuk mund të vazhdojë njëlloj si deri tani. Pikën e ngopjes e përbën kundërvënia flagrante midis procesit të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE, dhe procesit të izolimit dhe bllokimit diplomatik të Kosovës nga Serbia në organizatat ndërkombëtare. E thënë metaforikisht, pikën e ngopjes e përbën fakti kulmor që, atë që Brukseli e ndërton ditën për normalizimin e marrëdhënieve, Strasburgu e prish natën. Në datën 27 janar në Bruksel, në prani dhe në ndërmjetësim të shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, u zhvillua raundi i radhës i bisedimeve midis Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Komunikata zyrtare e Mogherini-t pas bisedimeve thekson: “Unë dua të falënderoj kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të tyre në kuadrin e dialogut. Takimi i sotëm demonstroi vullnetin e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive”. Pra ndërtesa e normalizimit vazhdoi të ndërtohej në Bruksel, por nuk vazhdoi shumë, sepse në Strasburg të nesërmen, në datën 28 janar, ndodhi e kundërta e normalizimit dhe qeveria serbe prishi atë ndërtim, që u njoftua në Bruksel. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë me katër amendamente të propozuara nga Serbia, të cilat kërkojnë një rritje të kompetencës së UNMIK-ut në dëm të sovranitetit të Kosovës. Në nëntor të vitit të kaluar Serbia, dhe aleanca e saj diplomatike e udhëhequr nga Rusia, rrëzuan rezolutën ndërkombëtare, e cila përmbante kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Nga pikëpamja profesionale, para se të flitet për dështim apo dobësi të diplomacisë së Kosovës në këto dy ngjarje, duhet të analizohet realiteti kontrovers i dy vijave të papërputhshme diplomatike, që kanë të bëjnë njëra me marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës në planin dypalësh, dhe tjetra me marrëdhëniet e tyre në arenën ndërkombëtare. Me një fjalë, përplasja midis procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë dhe procesit të veprimtarisë obstruksioniste të Serbisë për të bllokuar pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ka arritur një kulm, i cili për një mijë e një arsye nuk mund të vazhdojë më kështu dhe kërkon një rivlerësim të përmbajtjes dhe të qëndrimit të diplomacisë së Kosovës lidhur me normalizimin e marrëdhënieve. Diplomacia dhe qeveria e Kosovës, natyrisht veprojnë drejt, që marrin pjesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, proces nën kujdestarinë e BE dhe me mbështetjen e SHBA. Por diplomacia dhe qeveria e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet ta shohin procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve jashtë dhe të shkëputur nga angazhimi negativ i Serbisë kundër Kosovës në organizatat dhe në forumet ndërkombëtare. Një symbyllje apo neglizhim i këtij parametri të dytë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka dhe do të ketë pasoja negative për vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Së pari, diplomacia e Kosovës duhet të reagojë zyrtarisht ndaj çdo veprimi, qëndrimi dhe aksioni diplomatik të qeverisë dhe diplomacisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Është për të ardhur keq që gjatë gjithë kësaj periudhe njëvjeçare, kur janë shënuar flagranca si ato të ministrit të Jashtëm të Serbisë, i cili gjatë presidencës serbe të OSBE nuk ka lënë rast dhe forum për kryerjen e një kryqëzate diplomatike kundër njohjes dhe pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, nuk është dëgjuar ndonjë protestë apo reagim zyrtar nga qeveria dhe diplomacia e Kosovës për veprimet e paligjshme të kryetarit të radhës të OSBE. Qeveria dhe diplomacia e Kosovës nuk janë dëgjuar ta shtrojnë në Bruksel protestën e tyre për qëndrimin agresiv ndërkombëtar të Serbisë ndaj Kosovës, gjë që përbën një mohim dhe kundërvënie ndaj normalizimit të marrëdhënieve.
Së dyti, kjo veprimtari negative e Serbisë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga kryeministrat e të dyja vendeve në dialogun e tyre politik në Bruksel, me ndihmën e BE. Më konkretisht është në thyerje të marrëveshjes bazë të këtij dialogu në Bruksel, atë të parimeve të normalizimit të marrëdhënieve, të nënshkruar në 19 prill 2013, ku Serbia angazhohet dhe merr detyrimin që nuk do të pengojë integrimin e Kosovës në BE dhe as nuk do të ndikojë te të tjerët për të penguar Kosovën. Situata absurde diplomatike, ku Serbia është angazhuar ndërkombëtarisht ta lejojë anëtarësimin e Kosovës si shtet në BE, por nuk e pranon në UNESCO, në Këshillin e Europës apo në organizatat sportive ndërkombëtare, nuk mund të vazhdojë kështu. Këtë nuk duhet ta lejojë as diplomacia e Kosovës, as diplomacia e BE.
Së treti, duke toleruar këtë pikë ngopjeje, diplomacia e Kosovës pengon interesat e procesit të njohjes së Kosovës në arenën dhe në organizatat ndërkombëtare. Sepse, në qoftë se konstatohet heshtje dhe neglizhencë nga diplomacia e Kosovës në lidhje me veprimtarinë antikosovare të Serbisë nëpër botë, mund të krijohet në shtetet, që nuk e kanë njohur ende, përshtypja e gabuar sikur vetë Kosova nuk ka interes të madh për faktorizimin e saj ndërkombëtar.
Së katërti, që është edhe më e rrezikshme, është shqetësimi se toleranca ndaj kësaj pike ngopjeje mund të krijojë idenë sikur procesi i normalizimit apo dialogu midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka karakter ndërkombëtar të marrëdhënieve midis dy shteteve, por është një dialog i brendshëm midis metropolit dhe provincës. Pikërisht këtë synon Serbia. Qeveria e Kosovës nuk bëri sqarim lidhur me pretendimin e Kryeministrit të Serbisë, Vuçiç, i cili pas bisedimeve të 27 janarit deklaroi se një nga temat e diskutuara midis dy kryeministrave ishin edhe zgjedhjet parlamentare serbe të prillit, të cilat do të zhvillohen në gjithë territorin e Serbisë. Dihet se për qeverinë e Serbisë shprehja “gjithë territorin” përfshin edhe Kosovën. Nuk mund të mos lindë pyetja se ç’punë ka të diskutohen zgjedhjet parlamentare serbe në dialogun midis dy shteteve të pavarura, ku proceset elektorale janë ekskluzivisht çështje të brendshme.
Procesi diplomatik i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka arritur një pikë, ku diplomacia e Kosovës duhet të reflektojë dhe të ndërmarrë një rivlerësim të qëndrimeve dhe platformës së saj, duke kërkuar sanksionimin e dialogut si bisedime midis dy shteteve të pavarura. Ka ardhur koha që diplomacia dhe qeveria e Kosovës të parashtrojnë si kusht të dialogut në Bruksel ndërprerjen nga Serbia të çdo qëndrimi dhe aksioni diplomatik, që bllokon avancimin e pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo është një kërkesë e drejtë dhe urgjente, sepse pa realizimin e saj, normalizimi do të shndërrohet në një alibi të Serbisë për të dëmtuar sovranitetin e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe si dy shtete të pavarura. Është kërkesë e drejtë, sepse Serbia ka shkelur angazhimin e saj ndërkombëtar të nënshkruar nga kryeministri i vet. Diplomacia e Kosovës ka detyrën t’ia kujtojë dhe t’ia kërkojë Serbisë zbatimin e saj.
Diplomacia e Kosovës nuk mund të harrojë se dialogu midis dy shteteve është në radhë të parë politik dhe diplomatik dhe jo dialog teknik apo administrativ. Nëse korniza e normalizimit do të reduktohej te lidhjet hekurudhore apo ajrore apo targat e diplomat, ata janë parametra, që Serbia e Kosova i kanë pasur të përbashkët edhe në kohën e federatës komuniste jugosllave, ku Serbia ishte metropoli dhe Kosova kolonia. Këta janë parametra të nevojshëm, por kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të të dyja vendeve duhet të shtrojnë në dialog çështje politike të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre në raportet si dy shtete të pavarura fqinje. Kjo duhet të jetë edhe fokusimi i diplomacisë kosovare. Sepse, para se të flasësh për marrëveshjen e njohjes së diplomave të vitit 2011, që Serbia sipas komunikatës së 27 janarit të BE, ka premtuar tani se do ta realizojë, duhet të bëhet e qartë nëse Serbia do të njohë diplomat e Universitetit të Prishtinës, të cilat kanë në krye të tyre fjalët “Republika e Kosovës”. Njohja e diplomave pa logon e Republikës së Kosovës si një shtet tjetër, do të ishte një “arritje” e kohës së federatës. Serbia ka që në vitin 2002, që refuzon të nënshkruajë marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave me Shqipërinë, dhe me gjithë premtimin publik të Vuçiçit në nëntor të vitit 2014 se do ta nënshkruajnë, ajo marrëveshje edhe sot e kësaj dite është në frigorifer.
Ka ardhur koha që diplomacia e Kosovës të prioritarizojë me forcë kërkesën për ndalimin e çdo veprimtarie të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës duhet ta shtrojë këtë si kërkesë të parë politike në tavolinën e ndërmjetësuar nga BE. Kosova ka fatin që tani, falë presionit dhe vullnetit të shteteve të fuqishme perëndimore, merr pjesë në disa forume të rëndësishme rajonale, europiane dhe ndërkombëtare. Ajo merr pjesë si anëtare me të drejta të plota në Procesin e Berlinit, në Procesin e Bërdos, merr pjesë në organizatën e bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP, merr pjesë në nismën “Ballkan 6” etj. Në këto forume bashkëpunimi ajo duhet të ngrejë me forcë kërkesën e saj për ndërprerjen nga Serbia të veprimtarive ndërkombëtare kundër Kosovës. Është absurde që Serbia ka firmosur një marrëveshje ndërkombëtare për të mos penguar Kosovën në anëtarësimin në BE, ka pranuar që Kosova të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, dhe pengon hapur që Kosova të jetë në UNESCO, në Këshillin e Europës, madje edhe në organizatat olimpike ndërkombëtare. Serbia është shtet kandidat i BE, që ka hapur në dhjetor të vitit të kaluar bisedimet e pranimit për në BE. Kjo është një rrethanë më e favorshme që BE t’i kujtojë dhe të detyrojë Serbinë të zbatojë detyrimet dhe marrëveshjet e nënshkruara për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Rivlerësimi, që diplomacia e Kosovës duhet t’i bëjë situatës absurde të tanishme, kur në një anë bëhet dialogu Kosovë-Serbi, e nga ana tjetër vazhdon bllokimi ndërkombëtar i Kosovës nga Serbia, është bërë detyrë e ditës. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë real dhe efikas, për sa kohë do të vazhdojnë përpjekjet serbe për të bllokuar dhe izoluar Kosovën në organizatat dhe në forumet ndërkombëtare. Kosova ka shumë për të mësuar nga “diplomacia e përplasjes së këmbëve”, që ka ndjekur me sukses Serbia ndaj faktorit ndërkombëtar në Ballkan gjatë 25 vjetëve të fundit.
















