“Nëse Edi Rama vendos për të mos shkuar në garë, kjo është grabitje e një partie”. Kështu u shpreh Ben Blushi në komunikimin që pati me mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS.
Blushi e sfidoi Ramën edhe për një garë të hapur, duke e ftuar që të lejojë edhe qytetarët të votojnë kreun e PS, siç ka ndodhur edhe në disa vende të tjera, si një votëbesim për qeverisjen 3 –vjeçare të tij.
Teksa gazetarërt i vunë në dukje se kundër zgjedhjeve ishte pjesa më e madhe e PS, ai tha se edhe Hitleri ishte kundërshtuar vetëm nga dy persona dhe ishte mbështetur nga e gjithë pjesa tjetër e partisë, por koha nuk i dha shumicës të drejtë. Blushi tha se ai nuk mund të rrinte të bënte sehir teksa sheh se si Edi Rama po e grabit partinë.
“Sot ishte Edi Rama dhe nuk foli. Një njeri që pretendon se ka bërë kaq shumë reforma, atë në energji, informalitetit, reformën territorial në arsim, pensione, nëse këto quhen të tilla. Nëse ky njeri ka bërë kaq shumë reforma pse ka frikë të zgjidhet? Çfarë e pengon të dalë e të thotë është koha për tu votëbesuar. Për fat të keq ky është mandat i grabitur me të cilën nuk pajtohem dhe nuk do pajtohem kurrë. Po si ka mundësi që ne na besojnë se ne mund të zbatojmë ligjin. Nëse nuk zbatojmë ligjin e partisë kush na beson ne? Është hapur një fushatë gjoja për të rritur PS. Mund të vijë një djalë 20 vjeç në këtë parti kur sheh se as nuk zgjidhesh as nuk zgjedh por vetëm emërohesh?! Do vazhdoj të këmbëngul deri në ditën e fundit që në PS të ketë zgjedhej në të gjitha nivelet”, tha Blushi.
Blushi tha se në mbledhjen e PS i ishte thënë se nuk do të ketë asamble. Në mbledhje kishte qenë edhe Rama dhe Eduard Ndocaj por asnjëri nuk kishte folur.
”Mu tha se nuk do të ketë asamble. Kapricoja e Ramës për të mos u zgjedhur po kthehet në normë politikë dhe unë këtë nuk e pranoj”, u shpreh Blushi.
















