Shpërngulja e shqiptarëve nga Mali i Zi paraqet një problem shqetësues.
Regjistrimi i fundit tregon se më shumë se gjysma e popullatës shqiptare jeton jashtë vendlindjes, kryesisht në Shtetet e Bashkuara.
Kjo dukuri është më e theksuar në dy qytete të njohura historike, Tivar dhe Rozhajë, ku disa fshatra janë boshatisur plotësisht, raporton Zëri i Amerikës.
Ali Daci, veprimtar politik në Rozhajë, thotë se fenomeni i emigrimit kishte nisur menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve.
“Emigrimi këtu ka filluar m,enjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur qeveria shqiptare e kishte themeluar këtu (në Rozhajë) nënprefektorën e Prefektorës së Pejës, dhe me largimin e kësaj qeverie, me ardhjen në pushtet të komunistëve, fytyrat më eminente të kohës, komandantët shqiptarë të luftës, u vranë pabesisht, me gjyqë e pa gjyqe, kështu që popullata u tmerrua dhe mori botën në sy, për të shpëtuar kokën”, ka thënë Daci.
Ai ka shpjeguar se në periudhën 1957-1967 mori përmasa të mëdha migrimi i shqiptarëve në Turqi.
Daci tregon se migrimi i shqiptarëve nga kumona e Rozhajës mori përmasa të mëdha edhe pas luftës së Kosovës, kur u boshatisën katër fshatra të banuara me shqiptarë.
Ai tregon se e numri I nxënësve në të vetmen shkollë shqipe, në atë të fshatit Dacaj, bie nga dita në ditë, për shkak të migrimit të popullsisë shqiptare.
Shqetësuese janë edhe përmasat e migrimit të shqiptarëve nga konmuna e Tivarit.
Dr Ismail Doda, këshilltar i komunës, thotë se Shestani ka mbetur pa asnjë banor shqiptar, kurse në Krajë kane mbetur shumë pak banorë shqiptarë. Ai shpreh shqetësimin edhe me numerin e madh të shqiptarëve të larguar nga Tivari.
Një ndër arsyet e migrimit është edhe mungesa e shkollave dhe diskriminimi I shqiptarëve. Këshilltari Doda tregon se në Krajë e Shestan nuk përdoret lirshëm gjuha shqipe. Ai thekson se gjuha shqipe nuk lejohet të përdoret madje as në Kishën Katolike dhe në xhaminë e Tivarit.
Rënia e vazhdueshme e numrit të banorëve, sipas analistëve, do të ndikojë dukshëm në të ardhmen e këtij komuniteti.















