Sapo ka përfunduar takimi i presidentes me Partinë Demokratike të Kosovës.
Në takim ishin kreu i partisë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Hajredin Kuçi. Aktualisht në zyrën e presidentes nuk ka arritur asnjë parti tjetër, derisa të gjitha partitë do të marrin pjesë në takim.
Gjatë takimit është diskutuar rreth mundësisë së daljes nga “ngërçi” politik.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se PDK-ja do të jetë konstruktive në këtë proces.
“Ne do të jemi konstruktiv dhe mendojmë që zgjedhjet duhet të jenë zgjidhja e fundit. Megjithatë, nëse do të jetë e nevojshme për zgjedhje ne jemi të gatshëm”, ka thënë Kuçi.
***
Jahjaga nis takimet me liderët, fillon me PDK-në
Ka nisur takimi mes presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe liderëve të partive politike.
Presidentja Atifete Jahjaga menjëherë pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ftuar në takim partitë parlamentare, me qëllim zhbllokimin e situatës politike në të cilën është future vendi pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Të parët që do të takohen me Presidenten, janë liderët e PDK-së. Takimi të cilin Presidentja e fillon në ora 12:00, do të pasohet me takimet e liderëve tjerë të partive politike parlamentare në vend.
Mësohet se edhe kësaj here ftesa partive poltike u është dërguar individualisht, por nuk dihet nëse LAN dhe VV, do të veprojnë njëjtë sikurse në takimin e parë, kur shkuan bashkërisht te Jahjaga.
Presidentja gjatë qëndrimit në SHBA thuhet të ketë marrë këshilla për të ndikuar në tejkalimin e ngërçit politik, dhe ajo pritet të përdor autoritetin dhe rolin e saj në këtë situatë.















