Policia e Fierit ka arrestuar dy persona, pasi u kapën në flagrancë me 7.2 kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar si kanabis sativa.
Sipas burimeve policore, arrestimi i tyre u bë në lagjen numër 2 në Roskovec, gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Street” .
Në pranga kanë përfunduar shtetasi Agron Xhaxhaj, 27 vjeç, banues në Roskovec dhe Ergent Braçe, 28 vjeç, banues në Fermë Çlirim.
Policia ka bërë të ditur se “gjatë momentit të arrestimit, shtetasi Agron Xhaxhaj ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë, duke u përleshur me të dhe e ka plagosur lehtë me një mjet prerës”.
Po kështu, edhe punonjësi i policisë gjatë përleshjes ka plagosur lehtë në këmbë me armën e shërbimit shtetasin Agron Xhaxhaj.
Në njoftimin e policisë thuhet: “Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”./E.S/















