Sot rreth orës 13:00 ka marrë flakë shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë. Ajo i takon shekullit XIX.
Policia e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë portalit Koha.net se ende janë në mbledhjen e informatave, ndërsa më vonë do të dalin me detaje rreth kësaj ngjarje.
“Zjarrfikësit kanë intervenuar, dhe prej tyre presim që të dalin me konkludime”, ka thënë Zahiti, derisa nuk ka dashur të lëshohet më shumë nëse kjo zjarrvënie është e qëllimshme.
Djegia e monumenteve të mbrojtura me Ligjin për Trashëgimi Kulturore tashmë është bërë praktikë e shumë pronarëve, për t’i lënë vend ndërtimeve të reja. Vetëm në Prishtinë, kësisoj kishte ndodhur me ish-hotelin Union, me ish-konsulatën ruse, e të tjera.
Pajazit Hjazeri nga Mitrovica, njohës i Trashëgimisë Kulturore ka thënë se është e tmerrshme ta shikosh një monument kulture të digjet në mes të ditës e mos të ketë në përkujdesje institucionale.
“Është jashtëzakonisht shqetësues ky fakt. Njëherësh MKRS-ja formon Këshillin Kombëtar me njerëz të profileve të ndryshme që nuk e njohin as në vija të trash gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Me këtë rast i bëjë thirrje MKRS-së që të jetë shumë e kujdesshme në fushën e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Hajzeri.
Shtëpia e Xhafer Devës është e ndërtuar në bërthamën e vjetër të qytetit, dhe bazuar në Databazën elektronike për Trashëgimi Kulturore të Ministrisë së Kulturës, kjo ndërtesë i takon shekullit XIX. Shtëpia fillimisht kishte karakter banimi.
Ky objekt kryesisht e ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit. Shtëpia e lartpërmendur, është ndërtuar nga Xhafer Deva, njëri prej personaliteteve më të shquara të këtij rajoni.
Xhafer Deva, luajti rol kyç në periudhën kohore 1941–1944, në organizimin dhe mbrojtjen e popullatës shqiptare.
Gjatë një periudhe kohore Xhafer Deva ka mbajtur poste kyçe – ishte prefekt i Mitrovicës si dhe Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Shqiptare (1943/44).
Pas lufte si i përndjekur nga pushteti, emigron në SHBA, ku edhe vdes (1978).
















