Gjykata e Lartë ka lënë në arrest shtëpie dy deputetët, Mark Frroku dhe Tom Doshi. Fillimisht gjykata ka dhënë masën e sigurisë për Frrokun, proces i cili ka zgjatur përreth dy orë e gjysmë dhe është zhvilluar me dyer të mbyllura. Në përfundim të seancës, avokatët e Frrokut, Genc Gjokutaj dhe Saimir Vishaj thanë se ishin të pakënaqur nga ky vendim, pasi arrestimi i klientit të tyre është bërë jashtë të gjitha rregullave procedurale. Më pas trupa gjykuese u mblodh sërish për të dhënë masën e sigurisë për Tom Doshin.
Ndaj deputetit shkodran është lënë e njëjta masë sigurie. Sipas burimeve nga salla e gjykatës, Doshi ka qenë i qetë gjatë gjithë kohës. Ai ka shkëmbyer batuta me prokurorët dhe gazetarët. Gjatë daljes së tij nga gjykata, Tom Doshi është shfaqur i qeshur, ndërkohë që miq dhe të afërm e kanë pritur me duartrokitje dhe brohoritma. Avokatët e Tom Doshit e kanë cilësuar vendimin të padrejtë dhe të jashtëligjshëm. Ferid Muçaj tha se në seancë kanë dalë prova të tjerë, për të cilët ata nuk kanë qenë në dijeni dhe që janë në favor të deputetit. “Vendimi i Gjykatës është i padrejtë dhe i pa mbështetur në ligj. Nuk janë përcaktuar mirë kriteret ligjore nga ana e gjykatës. Masa e arrestit shtëpiak nuk është i drejtë. Prokuroria nuk kishte prova të reja për ta mbajtur në burg, ndërkohë që ka prova të reja, të cilat vërtetojnë ato që ka thënë zoti Doshi. Ne nuk mund t’i bëjmë publike. Në këto kushte vendimi i gjykatës është i pabazuar në ligj”, tha Muçaj gjatë daljes së tij nga Gjykata e Lartë.
Dy deputetët mbërrijnë në Gjykatën e Lartë; Frroku i prangosur, Doshi me ‘duar në xhepa’
Gjykata e Lartë pritet të vlerësojë masën e arrestit për Tom Doshin dhe Mark Frrokun.
I pari që ka dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të shkuar drejt Gjykatës së Lartë ka qenë deputeti Mark Frroku. Me pranga në duar, deputeti kristian-demokrat ka përshëndetur familjarët e tij, të cilët qëndronin jashtë ndërtesës.















