Gazeta Monitor raporton se ligjvënësit e NATO-s do t’i shqyrtojë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.
Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, z. Xhavit Haliti, dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane.
Që nga fillimi i programit në vitin 1991, Asambleja Parlamentare e NATO-s ka mbajtur 19 seminare Rose-Roth në Ballkanin Perëndimor. Seminari i parë është mbajtur në Ohër, në vitin 1997. Seminari i 93-të është i pari që do të mbahet në Prishtinë. Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është që ta lehtësojë dialogun, që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.
Ngjarja do të sjellë së bashku më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere. Autoritetet më të larta të Kosovës, Hashim Taci dhe Isa Mustafa, Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo, kreu i EULEX-it, Aleksandra Papadopulu, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, të gjithë do t’iu drejtohen të pranishmëve në seminar, ashtu siç do të veprojnë edhe një numër ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë.






















