Në total, buxheti për vitin 2016 ka qenë 73 milion e 164 mijë euro. Për nëntë muaj janë shpenzuar gjithsej 40,029,436.14 euro. Prej tyre, 20,851,513.35 euro janë shpenzuar në paga dhe mëditje, 5,660,219.07 euro në mallra dhe shërbime, 1,284,796.52 euro në shërbime komunale, 1,035,021.36 euro në subvencione. Derisa buxheti për investime kapitale është në vlerë prej 33 milion e 952 mijë euro, prej 1 janarit deri me 30 shtator janë shpenzuar vetë, 11 milion e 197 mijë euro.
Paratë që nuk janë prekur fare janë ato të dedikuara për ndërtimin e çerdheve 300 mijë euro, ndërtimi i rrugës paralele me rrugën N deri MAT1 220 mijë euro, rruga mbi lumin “Mat” 500 mijë euro, ndërtimi i kolektorit të lumit Prishtina dhe rruga mbi kolektor 1 milion euro, ndërtimi i shkollës në Sofali, ndërtimi i shkollës në Kalabri, ndërtimi i shkollës në Veterrnik, etj.
Përsëri drejtoria e Kulturës është keq me shpenzimin e buxhetit. Ky dikaster ka të planifikuara 760 mijë euro për tërë vitin, ndërkohë për nëntë muaj ka shpenzuar 144 euro.
Nëse për shërbime të përfaqësimit ( dreka zyrtare, dhe dreka zyrtare jashtë vendit) kanë qenë të planifikuara 18 euro për tërë vitin, për nëntë muaj, sipas raportit janë shpenzuar mbi 23 mijë euro.
Për sektorin e Rinisë dhe Sportit janë të planifikuara 300 mijë euro, ndërkohë që janë shpenzuar vetëm 43 mijë euro.
Drejtoria e shërbimeve publike, për 12 muaj ka të planifikuara 8.8 milion euro, ndërkohë ka shpenzuar 1 milion e 408 mijë euro.
Më mirë se viteve të tjera, Komuna është me të hyrat vetjake. Nga 30 milion të planifikuara, janë inkasuar 18.5 milion euro. Shumica e të hyrave në vlerë absolute, janë nga taksat për leje ndërtimi dhe nga tatimi në pronën e paluajtshme.
“Realizimi i të hyrave është i kënaqshëm, ku taksa për leje ndërtimi ka një rritje të konsiderueshme në TM3 (93.03%), sa i përket tatimit në pronën e paluajtshme (90.84%), ku për nga shuma renditet e dyta. Taksa nga kadastri dhe gjeodezia (93.04%), taksa për transaksionin në pronë (89.21%), taksa për shfrytëzimin e sipërfaqeve publike (88.10%), taksa për certifikata dhe dokumente zyrtare (84.27%), taksa për automjete motorike (82.85%)”, thuhet në raport.
Prishtina ende ka probleme të mëdha me inkasimin e parave të saj. Detyrimet ndaj Komunës së Prishtinës, përkatësisht të hyrat e arkëtuara,nga tatimi në pronën e paluajtshme janë 29,228,973.12 euro, taksa për leje ndërtimi 8,686,632.08 euro dhe shpronësimet nga Ministria e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor 7,356,167.55 euro. /Lajmi.net

























