Në 1 janar fillon skema e re e pensioneve, një skemë, e cila do të aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Ky pohim është bërë nga ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, i cili bëri me dije se si do të funksionojë kjo skemë.
“Për çdo njeri, vitet e punës shumëzohen me pagën mesatare të të gjithë jetës së vet, për të prodhuar përqindjen e pensionit që dikush do të ketë në pleqëri”, tha ministri.
Veliaj deklaroi se nesër do të kalojë në Parlament ligji për pensionet e minatorëve, prej të cilit do të përfitojnë menjëherë 3820 minatorë, kryesisht në zonat dhe në rrethet e Shqipërisë ku ka miniera.
“Tirana është ajo që kryeson, pastaj Bulqiza dhe i gjithë rrethi i Dibrës dhe disa rrethe të tjera të Shqipërisë. Skema e minatorëve e ul menjëherë moshën e pensionit me 5 vjet për minatorët, ndërkohë që rrit pensionet dyfish për disa prej tyre dhe për disa të tjerë trefish, krahasuar me trajtimin e veçantë që ata marrin sot”.
Porsa i përket pensioneve në fshat, ministri tha se do t’i dërgohet Parlamentit një projektligj, i cili fal kamatëvonesat dhe gjobat për 290 mijë qytetarë shqiptarë banues në fshat, për pensionet dhe vitet e sigurimeve shoqërore të papaguara, në fshat:
“Dua t’u bëj me dije që kjo është amnistia e fundit, duke qenë se në datën 1 janar futet një ligj i ri dhe nuk do të ketë më amnisti, por formula e re do të zbatohet me korrektesë. Për të kuptuar se për çfarë detyrimesh po flasim, dua t’u bëj me dije se nga viti 1994 deri në vitin 2001 për të siguruar një vit për efekt pensioni në fshat, pagesa ka qenë vetëm 15 dollarë.
Kjo do të thotë që për të paguar sigurimet shoqërore të viteve 1994-2001, në total, duhet paguar vetëm 120 dollarë për të siguruar rreth 8 vite pension”.
Veliaj shtoi se nëse ka qytetarë shqiptarë nga këta 290 mijë, të deklaruar të vetëpunësuar, që kanë nevojë të mbushin detyrime të papaguara, boshllëqe që kanë lënë në vitet kur nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për arsye të emigracionit ose për arsye të sipërmarrjes së tyre në fshat, ky është një moment ideal.
Afati për të paguar pa kamatë, për të paguar pa gjobë, me kosto shumë të ulëta të gjitha vitet e pensionit, ose boshllëqet e pasiguruara, është 31 dhjetori.
Në qoftë se dikush nuk paguan detyrimin e papaguar të vitit ’94-’01 apo nga 2001 deri në 2014, do t’i duhet që vitet e prapambetura, nga viti 2015, t’i paguajë me çmimet e vitit 2015, në 2016-n me çmimet e vitit 2016.
















