Partia Demokratike ka kërkuar sot vëmendjen e organizmave ndërkombëtare mbi Komisionin Hetimor për dy anëtarët e KLD-së, Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn, pasi ky komision është sipas saj, antikushtetues dhe antiligjor, një përpjekje e qartë e Qeverisë për të kapur Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Kështu ka deklaruar sot nga selia blu, ish-Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi. Ai tha se “kemi bërë me dije për muaj me radhë se paketa e ligjeve e cila u hartua dhe miratua me arrogancë dhe injorim të ekspertizës ndërkombëtare, në shkelje të Kushtetutës dhe parimeve ndërkombëtare të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, nuk kishte si qellim as shqetësimin qytetar për gjendjen e korrupsionit në drejtësi, dhe as shqetësimin ndërkombëtar për një sistem të pavarur dhe efiçent.
Vetëm 24 orë pas hyrjes në fuqi të kësaj pakete, Edi Rama urdhëroi ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili nuk kishte asnjë qëllim tjetër, veç justifikimit të vendimit të marrë kohë më parë nga vetë Edi Rama. Nuk kishte as një qëllim tjetër veç një gjyqi publik, pa asnjë fakt dhe provë, veç mllefit politik dhe propagandes histerike ndaj 2 anëtarëve të këtij Këshilli.
Nuk ka sot asnjë dyshim sot për çdo shqiptar por për çdo partner ndërkombëtar dhe çdo ambasador të vendeve mike se qëllimi i vetëm i asaj paketë të shkruar natën, të miratuar natën, të botuar natën dhe që iu fsheh ekspertëve ndërkombëtarë, duke injoruar thirrjet e tyre, kishte si qëllim të vetëm zëvendësimin e anëtarëve të KLD-së, kapje dhe vetëm kapjen politike të këtij institucioni.
Gjyqi politik i stilit komunist që iu rezervua anëtarëve të KLD-së në sallën e Kuvendit nga Edi Rama, është një goditje e rëndë që i bëhet frymës së konsesusit dhe gjithëpërfshirjes së tryezës së 6 Tetorit, të organizuar nga Presidenti i Republikës në prani te faktorit politik dhe ekspertizës ndërkombëtare.
Partia Demokratike i bën thirrje dhe i kërkon publikisht gjithë faktorit ndërkombëtar dhe në veçanti parnërëve ndërkombëtarë që asistojnë në drejtësi, të monitorojnë procesin dhe të shprehin hapur qendrimin e tyre në favor të parimeve europiane për një sistem drejtësie të pavarur,”- theksoi Halimi.















