Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama. Spaho thotë se rikthimi i përsëritur i Edi Ramës në bregun e Liqenit të Pogradecit ju kujton qytetarëve vetëm papërgjegjshmërinë e tij, duke shtuar se kjo rrugë ka nisur në periudhën e qeverisjes së Partisë Demokratike. “Po mbushen pothuaj dy vjet qeverisje të kësaj maxhorance dhe e vetmja gjurmë që ka lënë Rama në të është bllokimi dhe ndërprerja e punimeve ç’ka ka sjellë stres dhe kosto të madhe ekonomike për banorët, dhe bizneset e gjithë qarkut të Korçës të cilët udhëtojnë në këtë aks.
Rishfaqja për të katërtën a të pestën herë në këtë rrugë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë autostradë prej dhjetra e dhjetra kilometra, është qesharake dhe dëshmi e fjalëve të shumta dhe punëve të pakta”, deklaron Spaho. Sipas tij në Pogradec ka zemërim dhe ironi për shëtitjet pa bukë të Kryeministrit dhe ato që lëshon nga goja të cilat janë shpesh fyese dhe të papranueshme. Ai shprehet se, puna në këtë segment ecën me ritmin e breshkës sikurse është edhe ritmi i punës së qeverisë së Ramës.















