Partia Demokratike denoncon emërimin e Erjon Bojaxhiut, si kontrollor në Rinas, i cili sipas PD, në vitin 2009, është ndaluar nga Policia në Rinas, pasi po tentonte të nxirrte nga Shqipëria 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë. Në një deklaratë për mediat, koordinatorja e PD-së, Silvi Bardhi, tha se nga një korrier i parave që vinin nga burime kriminale, Bojagjiu u emërua nga kryeministri si kontrollor në Rinas.
“Përtej imagjinatës më djallëzore, rilindja ka caktuar si monitorues në Rinas, një person që dikur Rinasin e shfrytëzonte për të kaluar paratë e krimit, të korrupsionit, apo të burimeve të tjera të paligjshme. Ky pra është modeli që promovon në publik Edi Rama. Sa më e errët, problematike, e kriminale e shkuara, aq më e sigurtë e ardhmja me këtë qeveri, me këtë kryeministër. Ky është një nga rastet e shumta që rrëzon propagandën e zmadhuar por boshe të Edi Ramës, për meritën, shanset e barabarta. Çfarë do t’u thotë ai të rinjve të vendit, por edhe të rinjve socialistë, që kanë nevojë për punë. Mos u lodhni kot për tu bërë profesionistë, se vendet janë zënë nga zanatçinjtë e krimit”, theksohet në deklaratën e PD-së.















