Kryetari Lulzim Basha tha se vendimi i qeverisë përbën shkelje të së të drejtës kushtetuese të privatësisë
Partia Demokratike i bëri thirrje qytetarëve që të mos i binden një vendimi të qeverisë për regjistrimin e numrit/kodit “IMEI” që ka çdo aparat telefoni i lëvizshëm (celular, mobil).
Kryetari Lulzim Basha tha se vendimi i qeverisë përbën shkelje të së të drejtës kushtetuese të privatësisë.
Sipas zotit Basha, ky vendim përbën gjithashtu dorëzim të të dhënave personale duke krijuar terrenin për përgjimin e plotë të shtetasve.
“Partia Demokratike i bën thirrje çdo shqiptari që ka një aparat celular që të reagojë me përbuzje dhe të mos dorëzojë të dhënat personale. PD i bën thirrje kompanive celulare të respektojmnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të mos dorëzojë të dhënat personale të abonentëve”-tha zoti Basha.
Sipas tij, “në të kundërt do të përballen me padi”, sepse në gjykimin opozitar “marrja e të dhënave personale të abonentëve celularë, meriton të mbrohet me çdo çmim”.
Kryeopozitari ftoi më tej mjetet e informimit që të reagojnë për “shkeljen e kësaj të drejte”, siç theksoi, “nga nesër nis zbatimi i këtij vendimi që të qeverisë “Rama”:
“Nga nesër je i detyruar të dorëzosh kodin “IMEI” te qeveria, përndryshe do të gjobitesh me 5 mijë lekë. Rama po kërkon të ndërhyjë në jetën e shqiptarëve! Ai ka kureshtje perverse mbi këto të dhëna! Ai kërkon një hetim të të dhënave konifidenciale, të vrasë privatësisë, se kush flet me kë, se kush dërgon SMS”!
Po ashtu ky vendim sipas zotit Basha “përmbush” atë që e quan “kureshtje” të kryeministrit për të kontrolluar komunikimin:
“Ai do të kontrollojë “facebook”-un, “viber”-in. Do të dijë se çfarë flasin dhe mendojnë shqiptarët, pasi sot mbi këtë bazë komunikojnë shqiptarët. Kjo u sjell shqiptarëve kontrollin e korrespondencës me letra në vitet e komunizmit”.
Partia Demokratike e dorëzoi 21 korrik në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër kryeministrit Edi Rama mbi vendimin për regjistrimin e numrit “IMEI”.















