PD kërkon përfundimin e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima. Në një deklaratë për mediat, deputetja demokrate Jorida Tabaku, u shpreh se Partia Demokratike ka arritur në konkluzionin se deputeti Koço Kokëdhima ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike nga pasuria e qytetarëve të vendit.
“Jam këtu për tu informuar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, sapo ka dorëzuar kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, bazuar në Kushtetutën e vendit.
Ne kemi arritur në konkluzionin, bazuar mbi fakte e argumenta e pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga departamenti anti-korrupsion në Partinë Demokratike, se deputeti Koço Kokëdhima ka përfituar fonde publike nga pasuria e qytetarëve të vendit.
Kjo është rreptësisht e ndaluar nga Kushtetuta dhe sjell automatikisht përfundimin e mandatit të tij. Eshtë provuar nga ne, se deputeti përfiton fonde publike prej shtatorit të vitit 2013.
Ka qënë media e para qe ka zbuluar disa detaje të këtyre kontratave dhe me pas ekspertët e departamentit te antikorupsionit kanë bërë hetime të hollësishme në thesarin e shtetit nga ku ka rezultuar se janë të pakten 150 raste të kalimit të parave në llogaritë e deputetit Kokëdhima.
Vijmë këtu, bazuar në nenin 69, 70 dhe 71 të Kushtetutes ku parashikohet qartë se mandati i deputetit përfundon në rast se ai ka përfituar fonde publike.
Provat janë të qarta, janë të depozituara në Kuvend dhe ne i kërkojme Kryetarit të vërë në lëvizje një orë e më parë kerkesen tonë dhe të zhvilloje procedurat e parashikuara nga ligji, rregullorja, kushtetuta dhe Vendimi i Gjykates Kushtetuese, si në rastin e deputetit Ilir Beqja”, tha ajo.
















